Katër persona, dy vajza të moshave nën 18-vjeçe dhe dy persona rreth moshave 29-vjeçare janë sulmuar me thikë nga një person në Ferizaj të hënën
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se sulmi është kryer në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, ku viktimat kanë qenë kalimtarë rasti, derisa Njësia e Reagimit të Shpejtë ka arritur që të dyshuarin E.S., 59-vjeçar, ta arrestojë.
Ai është dërguar për në stacionin policor, derisa dy të lënduar janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, e dy të tjerë në Ferizaj.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ‘Besim Rexhepi’ në afërsi të qendrës tregtare ‘Plus Market’ të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59-vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftimin policor.
Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë po ekzaminojnë vendet e incidentit, derisa thika që dyshohet se është përdorur është gjetur.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka thënë se në klinikë po trajtohen tre persona.