Katër mësimdhënës në shkollën “Faik Konica” rezultojnë pozitiv me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se situata me COVID-19 në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë ka ndryshuar pasi që pas testimit të të gjithë mësimdhënësve në këtë shkollë, katër prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Ai tha se në këtë shkollë me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, mësimi do të kalojë nga skenari “A” në skenarin “C”, mësim online, për dy javë, njofton Klan Kosova.

Zemaj shtoi se IKSHPK dhe Drejtoria komunale e Arsimit në Prishtinë do të monitorojë gjendjen në vazhdimësi, ndërsa Task Forca komunale bashkë me Institutin do të bëjnë vlerësimin e gatishmërisë së shkollës për të rifilluar mësimin në skenarin “A”.

Ai po ashtu ka kërkuar nga prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësi qe t’i respektojnë masat anti-COVID që të mos përsëriten rastet e tilla.

Exit mobile version