Katër konsujt e shkarkuar nga Osmani të afërt me njerëz të politikës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shkarkuar katër konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë.

Bëhet fjalë për Flakron Shalën i cili ishte emëruar konsull në Pragë, Blendi Kilaj në Lubjanë, Lindon Kqira në Shkup dhe Halim Krasniqi në Tiranë. Të katër konsujt ishin të afërt me figura politike në vend.

Flakron Shala është djali i deputetit Haxhi Shala. Ai është emëruar konsull i përgjithshëm më 20 tetor, kjo pasi ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, më 3 qershor kishin shkuar në shtëpinë e Shalës për ta bindur atë për të votuar pro Qeverisë Hoti. Shala është emëruar në këtë pozitë pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm.

Ndërkaq Blendi Kilaj, konsull i përgjithshëm në Lubjanë është djali i Isni Kilajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Hilmi Krasniqi është vëllai i sekretarit të Qeverisë, Fitim Krasniqi. Në shtator të këtij viti, ish-presidenti Thaçi në mënyrë të jashtëligjshme kishte firmosur dekretin nëpërmjet të cilit i ishte vazhduar edhe një mandat për katër vjet konsullit Krasniqi. Ndaj tij ka edhe padi për dhunë fizike nga një punëtore e konsullatës në Tiranë.

Ndërkaq Lindon Kqira i cili ishte konsull në Shkup është anëtar i Partisë Liberale, e afërt me Gjergj Dedajn, ambasadorin e Kosovës në Shkup. Nëpërmjet vendimit, Kqirës i ishte bërë grada diplomatike “ministër këshilltar”, e treta për nga lartësia – fill pas gradës ambasador dhe ministër.