Ballina Sport Futboll Katër kombëtare synojnë finalen e “Euro 2024”

Katër kombëtare synojnë finalen e “Euro 2024”

Pas dy ditëve pushim në “Euro 2024”, të martën dhe të mërkurën do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, ku do të mësohen dy kombëtaret që do të përballen në finalen e madhe.

Spanja, Franca, Anglia dhe Holanda, janë kombëtaret që synojnë finalen, ndeshje kjo që do të luhet të dielën mbrëma në Berlin.

Gjysmëfinalja e parë, do të jetë ajo ndërmjet Spanjës dhe Francës që luhet të martën prej orës 21:00 në Munchen.

Pritet një ndeshje e fortë dhe interesante duke pasur parasysh faktin së po përballen dy kombëtare që prej fillimit të turneut ishin favorite për të triumfuar në Evropian.

Megjithatë, Spanja ka treguar paraqitje më të mira se Franca deri më tani në “Euro 2024” pasi i ka fituar të gjitha ndeshjet. Spanja u kualifikua në gjysmëfinale pasi e eliminoi Gjermaninë në çerekfinale pas vazhdimeve, ndërsa Franca ishte më e mirë se Portugalia, të cilën e eliminoi me penallti.

Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër, ajo ndërmjet Holandës dhe Anglisë do të luhet të mërkurën në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit prej orës 21:00.

Edhe kjo gjysmëfinale parashihet të jetë interesante përkundër që Anglia është kritikuar për paraqitjen e saj deri më tani në Evropian, ndërsa Holanda ka treguar më shumë stabilitet në lojën e saj. Holanda në çerekfinale ishte më e mirë se Turqia kurse Anglia eliminoi Zvicrën.

Exit mobile version