Katari, eksportuesi i parë në botë i gazit të lëngshëm natyror (GNL), synon të rrisë prodhimin me 10 për qind në platformën që ka ngritur në North Field, që ndan me Iranin, duke hequr në këtë mënyrë një moratorium në fuqi që prej 2005.
Kreu i gjigantit publik të hidrokarbureve “Qatar Petroleum” (QP), Saad Al-Kaabi, njoftoi gjatë një konference shtypi në Doha se një projekt i ri pritet të finalizohet në këtë platformë prej 6.000 kilometra katror në ujërat e Gjirit, në veri të Emiratit të pasur.
“Studime teknike dhe një vlerësim i North Field nga “Qatar Petroleum” konfirmuan potencialin për zhvillimin e një projekti të ri gazi për eksport, me një kapacitet rreth dy miliardë kub në ditë”, deklaroi ai.
“Një projekt i kësaj përmase do të rrisë deri në 10 për qind të prodhimit të gazit në North Field, duke shtuar rreth 400.000 fuçi në ditë i barazvlefshëm me naftën në prodhimin e Katarit, që çon në një pozicion më të konsoliduar të Emiratit si një nga faktorët kryesorë në botë në industrinë e gazit”, shtoi ai.