Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Katari: Po punojmë me Turqinë dhe partnerët e tjerë për zgjidhjen e...

Katari: Po punojmë me Turqinë dhe partnerët e tjerë për zgjidhjen e konflikteve

Ministria e Jashtme e Katarit deklaroi se vendi po punon me Turqinë dhe partnerët e tjerë në rajon për zgjidhje që do t’i japë fund konflikteve në rajon, transmeton Anadolu.

Këshilltari i kryeministrit të Katarit dhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Majed Al-Ansari në deklaratën e tij tha se duhet gjetur zgjidhje politike gjithëpërfshirëse për krizën siriane.

Al-Ansari iu referua takimeve të fundit të kryeministrit të Katarit dhe ministrit të Jashtëm, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani me zyrtarët turq dhe egjiptianë. Ai tha se në këto kontakte është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, politik dhe humanitar. Sipas tij, në takime u diskutua edhe çështja e Palestinës dhe zhvillimet e tjera në rajon.

Duke vënë në dukje se ministri i Jashtëm i Katarit, Abdulrahman Al Thani zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, Al-Ansari tha se u vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, mënyrat e mbështetjes dhe zhvillimit të tyre, zhvillimet në rajon dhe hapat që do të ndërmerren.

– Thirrje për zgjidhje politike në Siri

“Situata në Siri po ndiqet me shqetësim”, tha Al-Ansari i cili i ftoi palët në dialog dhe mirëkuptim në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke theksuar nevojën për të mbrojtur civilët, ai u bëri thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të sigurojnë dërgimin e ndihmave humanitare.

“Ne mbrojmë idenë se ndërhyrjet ushtarake nuk japin rezultate të qëndrueshme. Një zgjidhje politike mund të lehtësojë vuajtjet e popullit sirian. Katari do të vazhdojë të punojë me komunitetin ndërkombëtar për zgjidhje që mbështet unitetin, sovranitetin dhe pavarësinë e popullit sirian”, tha ai.

– Përpjekjet për paqe në Gaza dhe Liban

Al-Ansari tregoi përpjekjet ndërmjetësuese të Katarit për të arritur armëpushim në Rripin e Gazës. Ai shtoi se vendi i tij është në kontakt me të gjitha palët dhe i mban të hapura kanalet e dialogut për paqen.

Më tej ai tha se një përpjekje ndërkombëtare ristrukturimi është e nevojshme për zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike në Liban, duke shtuar se Katari ka luajtur rol aktiv në këtë proces.

Pasi përsëriti se Katari është i hapur për bashkëpunim ndërkombëtar si një ndërmjetës i paanshëm dhe konstruktiv në krizat rajonale, Al-Ansari potencoi se vendi i tij do të vazhdojë të përpiqet për paqe dhe stabilitet në një gamë të gjerë nga Siria në Sudan, nga Gaza në Ukrainë.

Exit mobile version