Katari paraqet ankesë në OKB kundër Emirateve të Bashkuar Arabe

Katari ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS të OKB-së) kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, duke cituar shkelje të hapësirës ajrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas televizionit Al Jazeera të bazuar në Doha, përfaqësuesja e Katarit në OKB paraqiti një ankesë në KS të OKB-së, duke thënë se një avion luftarak që i përkiste Emirateve të Bashkuara Arabe shkeli hapësirën ajrore të Katarit.

Në ankesën e dorëzuar te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nga përfaqësuesja e përhershme e shtetit të Katarit në OKB, Alya Ahmed Al Thani, vihet në dukje se Katari do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjet ndërkombëtare për të mbrojtur hapësirën ajrore, kufijtë dhe sigurinë kombëtare.

Veçmas, agjencia zyrtare e lajmeve e Katarit, QNA, raportoi se shkelja e hapësirës ajrore ndodhi më 21 dhjetor të vitit 2017.

Në fillim të qershorit, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini papritmas të gjithë ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Katarin, duke e akuzuar Dohan për “mbështetjen e terrorizmit”.

Të gjithë kërcënuan të vendosin sanksione të tjera ndaj Dohas nëse ajo dështonte të pranonte një listë të gjatë kërkesash, duke përfshirë mbylljen e televizionit Al Jazeera të financuar nga Katari.

Katari mohon akuzat, duke përshkruar përpjekjet për izolim diplomatik si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit kombëtar.