Kryeprokurori i Katarit, Ali bin Fatis el-Merri, ka akuzuar se një nga ministritë e njërit prej vendeve që zbatojnë embargon ndaj vendit të tij është përfshirë në sulmin kibernetik ndaj agjencisë së lajmeve QNA të Katarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Merri ka folur në televizionin Al Jazeera me qendër në Katar, me ç’rast ka vënë në dukje se në lidhje me këtë çështje ende vazhdojnë hetimet. Sipas tij, përfundimi i hetimeve në lidhje me krimet kibernetike kërkon kohë.
Ai tha se në kushtet normale zhvillohet bashkëpunim me vendet nga ku është kryer sulmi kibernetik por se për shkak të embargos është shumë e vështirë të bëhet nga jashtë.
“Pavarësisht të gjitha vështirësive kemi arritur në përfundimin se një nga ministritë e njërit prej vendeve që zbatojnë embargon ndaj vendit tonë është përfshirë në sulmin kibernetik. Shpreh keqardhjen që një vend i Gjirit është i përfshirë në një krim të tillë”, tha Merri.
Ndërsa në pyetjen nëse ky shtet janë apo jo Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), kryeprokurori Merri është përgjigjur se “kur të vijë koha hetimi do të zbulojë këtë në mënyrë transparente”.
Gjithashtu edhe gazeta amerikane “Washington Post” në muajin korrik në një artikull të saj të cilin e bazonte tek zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane pretendon se EBA qëndron pas krizës së shkaktuar me Katarin.
Arabia Saudite, EBA, Jemeni, Egjipti dhe Bahreini më 5 qershor njoftuan ndërprejen e marrëdhënieve të tyre diplomatike me Katarin.