Kopeja e parë e lopëve, e transportuar në rrugë ajrore, mbërriti në Katar jo vetëm për të prodhuar qumësht, por edhe për të zbutur efektin e embargos që i është vendosur këtij emirati të pasur me gaz nga fqinjët e tij, njoftoi një përgjegjës i këtij projekti.
165 lopët të racës “Holstein”, që vijnë nga Hungaria, bëjnë pjesë në një grup prej 4 000 lopësh që do të importohen nga Katari dhe do të transportohen me avionë deri në muajin gusht.
Kopeja, që do të vendoset në një fermë prej 80 kilometrash katrorë në Doha, është në qendër të një interesi të veçantë të medias dhe po shkakton një ndjenjë krenarie në Katar, që shikon në këtë operacion një tjetër shenjë të sfidës që vendi po i bën fqinjëve të tij.
“Ne kemi 165 Holstein, të gjitha të seleksionuara me kujdes për të prodhuar qumësht”, deklaroi për gazetarët, John Dore, një përgjegjës i “Baladna Livestock Production” që drejton këtë operacion.
“Kemi 35 lopë që prodhojnë qumësht dhe 130 do të fillojnë për dy ose tre javë”, shtoi ai.
Më 5 qershor, Arabia Saudite, Bahreijni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe i vendosën sanksione ekonomike, duke e akuzuar se po mbështet terrorizmin si dhe për afrimin me Iranin.