Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahrejni të cilat kanë vendosur embargo ndaj Katarit njoftuan se “Kanë marrë përgjigjen e qeverisë së Dohas lidhur me listën e kërkesave prej 13 pikëve dhe se në një kohë të përshtatshme do t’i përgjigjen kësaj qeverie”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në agjencitë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite, EBA-ve, Egjiptit dhe Bahreinit thuhet se “Pak para përfundimit të afatit të dhënë për Katarin për t’iu përgjigjur listës së kërkesave të dërguar nga 4 shtetet në fjalë, i cili fillimisht ishte deri më 3 korrik, e pastaj u zgjat edhe për 48 orë me kërkesën e Emirit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmed Al Jaber Al Sabah, mbrëmë në mesnatë qeveria e Dohas ka dorëzuar përgjigjen e saj tek këto shtete”.
Në deklaratë po ashtu bëhet e ditur se “Në këtë përgjigje të dorëzuar nëpërmjet Kuvajtit do t’i jepet përgjigje në një kohë të përshtatshme”.
Ndërkaq në deklaratë nuk është dhënë ndonjë informacion lidhur me përmbajtjen e përgjigjes së Katarit.
Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, EBA-ve, Egjiptit dhe Bahreinit pritet që sot të zhvillojnë një takim në Kajro ku do të bisedojnë për hapat që do të merren në marrëdhëniet me Katarin.
Arabia Saudite, Egjipti, EBA-të dhe Bahreini i dërguan qeverisë së Dohas listën e kërkesave prej 13 pikash, ku kërkohet mbyllja e bazës ushtarake të Turqisë në Katar, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe mbyllja e televizionit Al Jazeera. Afati që këto shtete i kishin dhënë Katarit për t’u përgjigjur në fillim ishte deri më 3 korrik, kurse më pas me kërkesën e Emirit të Kuvajtit u zgjat edhe për 48 orë ndërsa përfundoi mbrëmë në mesnatë.
Kriza diplomatike në Gjirin Persik shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Egjipti, EBA-të, Bahreini dhe Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.