Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Katari dhe OKB-ja eksplorojnë mënyra për të lehtësuar qasjen e ndihmave humanitare...

Katari dhe OKB-ja eksplorojnë mënyra për të lehtësuar qasjen e ndihmave humanitare në Gazën e rrethuar

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman, ka zhvilluar bisedime me nënsekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths, për të diskutuar mënyrat e lehtësimit të hyrjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar, transmeton Aandolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve QNA raportoi se bisedimet u ndalën në mënyrat për të forcuar përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për të arritur një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për të lehtësuar qasjen pa pengesa të ndihmës humanitare në Gaza.

Bin Abdulrahman, i cili është po ashtu shef i diplomacisë së Katarit, theksoi rëndësinë e rolit të OKB-së në mbështetjen e përpjekjeve për “të luftuar katastrofën humanitare në përkeqësim dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve të vëllezërve palestinezë të bllokuar në Rripin e Gazës”.

Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, po ndërmjetësojnë mes Izraelit dhe Hamasit për të arritur një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbim pengjesh.

Hamasi, i cili besohet se mban peng afër 130 izraelitë, kërkon dhënien fund të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës në këmbim të çdo marrëveshjeje me Izraelin.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Të paktën 32.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që atëherë dhe mbi 74.500 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version