Katari dënon mbylljen e shkollave të UNRWA-së nga Izraeli në Jerusalemin Lindor

Ministria e Jashtme e Katarit ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Izraelit për të mbyllur shkollat e UNRWA-së në Jerusalemin Lindor, duke e cilësuar këtë akt si një “krim të ri në serinë e krimeve të vazhdueshme izraelite në territoret palestineze të pushtuara”.

Në fillim të këtij viti, Izraeli miratoi një ligj që ndalon në mënyrë efektive veprimtarinë e UNRWA-së – Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë – në Bregun Perëndimor të pushtuar, në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor të pushtuar, duke i pamundësuar agjencisë kryerjen e detyrës së saj humanitare dhe arsimore.

Në deklaratën e saj, Katari nënvizoi rëndësinë e të drejtës për arsimim dhe dënoi privimin e fëmijëve palestinezë nga shkollimi. Gjithashtu, theksoi “nevojën që komuniteti ndërkombëtar të veprojë urgjentisht për të mbajtur Izraelin përgjegjës dhe për ta detyruar atë të respektojë ligjin ndërkombëtar”. /mesazhi