Ndihmës sekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka qëndruar sot në veri të Mitrovicës.
Ai ka takuar pjesëtarët e shoqërisë civile nga komuniteti serb, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik, situatës së përgjithshme në veri, si dhe tema tjera me interes për komunitetin këtu.
Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, Kasanof nuk ka dashur të flasë për media.
Në anën tjetër, Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e Iniciativës së Re Shoqërore, njëherësh pjesëmarrëse në këtë takim, ka thënë se kanë ngritur shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin sipas saj se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore.
“Epo, është një numër i … ne ngritëm shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore, kemi diskutuar veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës të cilat shpërfillin nevojat e komunitetit lokal duke mbyllur institucionet dhe duke mos ofruar alternativa, flasim këtu për institucionet paralele siç quhen të sistemit serb dhe zhvendosjen e jetës së serbëve të Kosovës nga veriu në Serbinë Qendrore. Ne diskutuam hapat e përgjithshëm përpara… dhe cilat janë implikimet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë”, theksoi ajo.
Emisari amerikan dje ka takuar ndaras në Prishtinë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe sot ka takuar po ashtu liderët e opozitës në Kosovë