Kaptina Kehf, është e zbritur në Mekke pas kaptinës El Gashije, i ka 110 versete.
Kjo kaptinë e veçantë mekase tregon për misterinë e jetës. Së pari tregohet ndodhia e djelmoshave të shpellës të cilët fjetën një kohë të gjatë, ndërsa besuan që gjithë kjo zgjati vetëm një ditë.
Pastaj pason tregimi për kopshtarin mendjemadh dhe besimtarin e varfër.
Më tej pason tregimi për mësuesin misterioz, i cili i tregon Musait a.s. që vetë jeta është një parabollë. Kjo jetë është e shkurtë dhe përplot rreziqe. Në kërkim dhe etje për dituri Musai a.s. harroi kufijtë e tij.
Dhe në fund tregimi për Dhulkarnejnin e fuqishëm i cili ndërtoi një pendë të hekurt për t’i mbrojtur të pafuqishmit.
Fjalët, shenjat dhe argumentet e mëshirës së All-llahut janë në tërë procesin e krijimit dhe asnjëherë nuk mund të përshkruhen tërësisht me fjalë dhe me gjuhën njerëzore.
Deti në këtë alegori ngjanë në diturinë e njerëzve në krahasim me fjalët e All-llahut të Madhërishëm që paraqesin dituri të pakufishme, fundin e së cilës njeriu nuk mund ta kuptoj.
Në vete përmban katër tregime. I pari përmend djelmoshat e shpellës, të cilët ishin besimtarë të sinqert të cilët u sprovuan. Përkujtojmë versetet për ta kuptuar më mirë esencën e kësaj teme.
TREGIMI I PARË – AS’HABUL KEHF
“A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?
Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”
Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë.
Pastaj ata i zgjuam (prej gjumit) për të parë se cili prej atyre dy grupeve është më preciz në njehsimin e kohës sa qëndruan gjatë.
Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen.
Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm) saqë kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër pos Tij”, pse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!”
Këta, populli ynë ka besuar zota të tjerë pos Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut?
Derisa jeni izoluar prej tyre dhe prej asaj që adhurojnë ata, pos All-llahut, atëherë strehohuni në shpellë, e Zoti juaj ju dhuron nga mëshira e tij e gjerë dhe ju lehtëson në çështjen tuaj atë që është në dobinë tuaj.
Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e All-llahut. Atë që e udhëzon All-llahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.
Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta, do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre.
Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëri-tjetrin (se sa kanë fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndejur?” Ata thanë:”Kemi ndejur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndejur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’ua sjellë atë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”.
Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar.
Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i All-llahut (për ringjallje) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (kijameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: “Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”.
Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: “Ishin tre, i katërti i tyre ishte qeni i tyre, dhe thonë: “Ishin pesë, e qeni i tyre ishte i gjashti i tyre”, kjo ishte hamendje, po edhe thonë: “Ishin shtatë, e qeni i tyre ishte i teti!” Thuaj: “Zoti im di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhammed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe askë mos pyet për ta”.
Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do ta bëj këtë nesër!”
Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë All-llahu!” E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”.
(dhe thonin) Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet.
Thuaj: “All-llahu e di më së miri sa kanë ndejur, Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e tokës. Çfarë (i çuditshëm) është të pamurit e Tij dhe çfarë është të dëgjuarit e Tij! Pos Tij ata (njerëzit) nuk kanë ndihmëtarë. Në vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush.” (Kehf, 9-26)
TREGIMI I DYTË – KOPSHTARI MENDJEMADH DHE BESIMTARI I VARFËR
“E ti sillu atyre (që kërkuan t’i largosh varfanjakët) si shembul dy njerëz; njërit prej tyre i dhamë dy kopshte (vreshta) nga rrushi dhe ato i rrethuam me hurma, e në mes atyre dujave bimë të tjera.
Të dy kopshtet jepnin frutat e veta pa munguar prej tyre asgjë, e në mesin e tyre bëmë të rrjedhë një lumë.
Ai kishte edhe pasuri tjetër. E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: – duke iu krenuar atij – “Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!”
Dhe ai hyri në kopshtin e vet (e me besimtarin për dore), po duke qenë dëmtues i vetes (duke mos besuar dhe duke u krenuar) tha: “Unë nuk mendoj se zhduket kjo kurrë!”
Dhe nuk besoj se do të ndodhë kijameti, (dita e gjykimit), por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, pa dyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo”.
Atij ai shoku i vet (besimtari) i tha – duke e polemizuar atë – “A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?”
“Por për mua, Ai All-llahu është Zoti im, e Zotit tim unë nuk i bëj shok askë!”
E pse ti kur hyre në kopshtin tënd nuk the: “Ma shaell llah, la kuvvete il-la bil-lah” – (All-llahu çka do, bëhet, s’ka fuqi pa ndihmën e Tij). Nëse ti më sheh mua se unë kam më pak prej teje edhe pasuri edhe fëmijë (krah më të dobët).
Po unë shpresoj se Zoti im do të më japë edhe më të mirë nga kopshti yt, e këtij tëndit t’i shkaktojë fatkeqësi nga qielli e të gdhijë tokë e lëmuar (e zhveshur).
Ose të gdhijë uji i saj i shterur, e ti kurrsesi nuk mund ta kërkosh atë!”
Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij, e ai filloi të rrahë shuplakët për atë që kishte shpenzuar në të, e ajo ishte rrënuar në kulmet e saj dhe thoshte: “O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askë shok!” (Kehf, 32-42)
TREGIMI I TRETË – MUSAI A.S. DHE HIDRI A.S.
“(Përkujto) Kur Musai djaloshit që e shoqëronte i tha: “Nuk do të ndalem së ecuri deri ta arrij vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë”.
Kur arritën ata të dy vendtakimin e atyre deteve, e harruan peshkun e tyre, e ai (peshku) mori rrugën e vet si (strofull) në det.
Pasi ata e kaluan atë vend, ai (Musai) i tha djaloshit: “Na jep sillën tonë (ushqimin), meqë nga ky udhëtim jemi lodhur”.
Ai (djaloshi – Jushaë bin Nun) tha: “A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi, unë e harrova peshkun dhe përveç djallit nuk më bëri kush të harrojë që të ta përkujtoj ty atë, dhe ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën e tij për në det!”
Ai (Musai) tha: “Ai është (vendi) që ne po e kërkojmë!” Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre prej nga kishin ardhur.
Dhe e gjetën një nga robtë Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne.
Atij (Hidrit – njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: “A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?”
Ai (Hidri) tha: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua!
Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?”
(Musai) Tha: “Në dashtë All-llahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!”
Ai i tha: “Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të”.
E ata të dy shkuan (duke ecur) deri kur hipën në anije, ai (i dishmi) e shqeu atë. Ai (Musai) tha: “A e shqeve që t’i fundosësh udhëtarët e saj, vërtet bëre një punë të hatashme?”
Tha: “A nuk të thashë se nuk do të mund të kesh durim me mua?”
(Musai) Tha: “Mos më qorto përse harrova dhe mos më mundo me vështirësi në këtë shoqërim timin (lehtësoma punën)!”
Vazhduan të shkojnë deri kur takuan një djalë të ri, e ai (i dijshmi) e mbyti atë. (Musai) Tha: “A e mbyte njeriun e pastër, pa mbytur ai askë?! Vërtet ke bërë një pumë të shëmtuar!”
Ai (i dijshmi) tha: “A nuk të thashë se vërtet ti nuk do të mund të kesh durim me mua?”
(Musai) Tha: “Nëse pas kësaj të pyes (të kundërshtoj) për ndonjë gjë, atëherë mos më lejo të shoqëroj. Tashmë ndaj meje ke arsyetim (të mos më shoqërosh)!”
Vazhduan të shkojnë deri sa arritën te banorët e një qyteti që prej tyre kërkuan t’u japin ushqim, po ata nuk deshën t’i pranojnë si musafirë (e as t’i ushqejnë), e ata të dy gjetën aty një mur që gati po rrëzohej, e ai e drejtoi atë (murin). (Musai) Tha: “Sikur të kishe dashur do t’u merrje shpërblim për këtë!”
Ai (i dijshmi) tha: “Tash ka ardhur koha e ndarjes mes meje dhe mes teje, e unë do të tregoj për domethënien e asaj që nuk munde të keshë durim!”
Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e do të varfërve që veprojnë në det, e unë desha ta bëj atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije (të aftë – pa të meta).
Sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë, e u frikësuam se ai do t’i shpie ata të dy në humbje e në mosbesim.
Deshëm që Zoti i tyre t’u japë në vend të tij një më të mirë se ai dhe më të afërt në respekt dhe në mëshirë (ndaj prindërve).
Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetima të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetima) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre). Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit). Ky, pra, është sqarimi i asaj për të cilën nuk munde të kesh durim!” (Kehf, 60-82)
TREGIMI I KATËRT – DHULKARNEJNI A.S.
“Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: “Do t’ju rrëfej për punën e tij me Kur’an (me shpallje)”.
Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë.
Ai iu rrek një aso mundësie (dhe mori rrugën nga Perëndimi).
Deri kur arriti në vendperëndimin e diellit, e gjeti se po perëndon në njëfarë burimi me lym të zi dhe aty e gjeti një popull. E Ne i thamë: “O Dhulkarnejn, ose do t’i dënosh, ose do t’i marrish me të mirë e t’i udhëzosh!”
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta dënojmë, pastaj i kthehet Zotit të vet e Ai e dënon atë me një dënim të tmerrshëm”.
Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xhenneti) dhe atij nga ana Jonë do t’i bëjmë lehtësi (në jetë).
Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e lindjes).
Deri kur arriti vndlindjen e diellit, e gjeti se po lind mbi një popull, që nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit).
Ashtu (bëri edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij).
Mandej, ai iu rrek përsëri një aso mundësie (një rruge të tretë mes perëndimit e lindjes – nga veriu).
Deri kur arriti mes dy kodrave (si penda) dhe prapa tyre gjeti një popull që thuajse nuk kuptonte asnjë gjuhë (përveç gjuhës së vet).
Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të japim ty një kontribut (në formë tagre a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre?”
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Atë që mua ma mundësoi Zoti im është shumë më i mirë (nga ajo që ma ofroni ju), po ju më ndihmoni me fuqi punëtore të bëj një pendë të fortë mes jush dhe mes atyre!”.
Më sillni copa të hekurit! E kur e nivelizoi ai me dy anët e kodrave, tha: “Ndizni!”, e kur e bëri atë (hekurin) zjarr (si zjarr nga të ndezurit) tha: “Më sillni bakër të shkrirë t’ia hedhë atij!”
E ata as nuk arritën ta kapërcenin atë e as ta shponin.
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Kjo është një e mirë nga Zoti im, e kur të vjen caktimi i Zotit tim, Ai e bën atë rrafsh, e caktimi i Zotit tim është i sigurt”. (Kehf, 83-98)
A keni menduar ndonjëherë për lidhshmërinë e këtyre tregimeve? Çfarë lidhje kanë këto tregime dhe përse ndodhen në kaptinën Kehf? Lidhja qëndron në atë që në jetën e njeriut gjenden këto katër sprova të mëdha!
KATËR SPROVAT E KËSAJ BOTE JANË TË PËRMBLEDHURA NË KAPTINËN KEHF
1. Sprova e parë është sprova fetare. Në tregimin e parë shohim djelmoshat që besuan All-llahun, të cilët më pastaj u sprovuan dhe emigruan për hirë të All-llahut xh.sh. për t’u ruajtur nga mosbesimi dhe për ta ruajtur besimin e tyre.
2. Sprova e dytë është pasuria. Në tregimin e dytë shohim dy njerëz, njërit All-llahu xh.sh. i dha pasuri dhe u bë kryelartë duke mohuar All-llahun e Madhërishëm dhe dyshuar në Ditën e Gjykimit.
3. Sprova e tretë – dituria. Në tregimin e tretë shohim Musain a.s. i cili në atë kohë ishte më i dituri. All-llahu i Madhërishëm e mëson që mbi çdo dituri ka dituri më të madhe duke e sprovuar me Hidrin a.s. Ky tregim na mëson që nxënësi duhet ta dëgjoj mësuesin e tij duke mos nxituar me pyetje përderisa nuk i lejohet.
4. Sprova e katërt – pushteti dhe fuqia. Në mesin e kësaj kaptine, është tregimi mbi shejtanin. Çfarë lidhje, në mesin e kësaj kaptine në mes shejtanit dhe këtyre sprovave? Shejtani na zbukuron këto sprova dhe në realitet ai është lëvizës dhe ndërmarrës në këto sprova.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë, kush e lexon kaptinën Kehf do të jetë i shpëtuar nga sprovat (fitnet) e Dexhxhallit. Përse dhe si? Sepse Dexhxhalli do të vie me këto katër sprova. Do të ketë pushtet, dituri, pasuri dhe sprovën e fesë si adutë i tij.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë, ndërsa e transmeton Hakimi:
“Nga krijimi i Ademit e deri te fundi i jetës, nuk ka sprovë më të madhe se sprova e Dexhxhallit.”
Pra, të katër tregimet e kaptinës Kehf flasin për katër llojet e sprovave, por edhe si të shpëtohet prej tyre.
Te sprova e fesë, si mënyrë e shpëtimit, përmendet shoqëria e mirë:
“Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.” (Kehf, 28)
Prandaj, mos u largo nga besimtarët e mirë dhe të sinqert qofshin edhe të varfër në këmbim me njerëzit e pasur mendjemëdhenjë, të këqinjë, të vrazhdë të cilët largojnë nga rruga e vërtetë.
E më pastaj përmendet vërejtja: dënimi për ata që janë indiferent dhe shpërblimi për ata që ruhen nga sprova e fesë:
“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”.
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës.” (Kehf, 29-30)
Ndërsa te sprova e pasurisë përmendet kuptimi real i dunjasë dhe qëllimet e saj.
Si të shmangemi nga sprova e pasurisë? Duke kuptuar dunjanë. Çdo gjë është kaluese dhe atë që kemi ne në realitet është nga All-llahu xh.sh. dhe që kryelartësia do të na shkatërroj. Andaj në begatitë që na ka dhuruar All-llahu xh.sh. duhet falënderuar dhe të jemi modest duke e ndarë të varfërve nga kjo.
T’i lexojmë versetet në lidhje me qëllimin e dunjasë:
“E ti (Muhammed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet saqë përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. All-llahu ka fuqi për çdo send.
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf, 45-46)
Ndërsa te sprova e diturisë përmendet modestia dhe durimi.
Ke dituri, por mos u bën kryelartë. Andaj modestia dhe durimi shpëtojnë nga kryelartësia e diturisë.
Lexojmë në vijim versetet e Kur’anit fisnik:
“(Musai) Tha: “Në dashtë All-llahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!”
“Ai i tha: “Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të”. (Kehf, 69-70)
Ndërsa te sprova e pushtetit dhe fuqisë përmendet sinqeriteti i veprave dhe drejtësia në mënjanimin e tiranëve (zullumqarëve) në tokë.
Pushtetarët duhet të ndjekin shembullin e Dhulkarnejnit duke kuptuar se pushteti nuk u takon atyre, por janë të obliguar t’i mbrojnë popujt e shtypur të cilëve u bëhet padrejtësi duke ftuar në fenë e All-llahut xh.sh.
Lexojmë në vijim versetet kuranore:
“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?”
“Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (Kehf, 103-104)
Dijetarët theksojnë se ai i cili dëshiron të shpëtoj nga sprovat e dunjasë dhe shpëton duke bërë vepra të mira, gjithnjë duhet të llogaritë veprën dhe qëllimin e tij.
Dhe, All-llahu i Madhërishëm vazhdon me versetet:
“S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhennetet e Firdevsit.
“Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).” (Kehf, 107-108)
Ajo që vërehet në këtë kaptinë është se përmendet lëvizja e madhe. Siç shihet nga ajetet, djelmoshat lëvizin drejt shpellës për ta shpëtuar besimin. Musai a.s. lëvizë me të madhe për shkak të diturisë. Poashtu lëvizja e madhe e Dhulkarnejnit.
Në kaptinë vërehet edhe një fakt, e kjo është thirrja (da’va) në secilin nivel. Shohim si djelmoshat kanë ftuar popullin në fe në mjedisin ku jetonin. Në tregimin e dy kopshteve një mik thirrë mikun tjetër tek All-llahu xh.sh. Më pastaj Hidri a.s., fton nxënësin e tij Musain a.s. All-llahu i Madhërishëm na porositë që thirrja duhet të jetë e përfaqësuar në të gjitha sferat dhe shtresat e jetës. Të gjithë ne jemi barinjë dhe të gjithë jemi përgjegjës për vathën tonë.
Derisa e lexojmë këtë kaptinë të Kur’anit fisnik na duket sikur shpella simbolizon errësirën, vetminë, ftohësinë, por mendoni që kjo thirrje na drejtohet neve që të strehohemi në gjirin e kaptinës Kehf!
Pra, nëse dëshirojmë të shpëtojmë nga këto katër sprova të dunjasë, të strehohemi në flladin dhe instruksionet e kësaj kaptine madhështore – Kehf! Ta lexojmë këtë kaptinë vazhdimisht, çdo të premte (xhuma) duke lutur All-llahun e Gjithmëshirshëm të na ruaj nga këto sprova të dunjasë.
Imam Ahmedi shënon nga El Berra’a që ka thënë: “Njeriu përderisa lexonte kaptinën El Kehf, kafsha e tij u frikësua dhe vërejti një re e cila e mbuloi. Këtë ia tregoi Pejgamberit s.a.v.s. dhe ai tha: “Lexo, se kjo është qetësia e cila zbriti për shkak të leximit të Kur’anit”. Buhariu dhe Muslimi shënojnë se njeriu i cili e lexoi këtë kaptinë ka qenë Usejjid bin el Hudajr.
Imam Ahmedi shënon nga Ebu Derdai e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili thotë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të kaptinës el Kehf do të jetë i mbrojtur nga Dexhxhali.”
El Hakimi e shënon në Mustedrek, nga Ebu Seid el Hudriu r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Kush e lexon kaptinën el Kehf ditën e xhumasë, do t’i jepet dritë deri në xhumanë tjetër.”
Andaj, ta lexojmë kaptinën Kehf duke i këshilluar edhe të tjerët që ta lexojnë dhe të meditojnë për versetet e kësaj kaptine.
Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi