Ballina Video Kur'an Kaptina Haxh (VIDEO me përkthim) : Nga Muhamed Kurdi

Kaptina Haxh (VIDEO me përkthim) : Nga Muhamed Kurdi

Surja Haxh, e ka marrë emrin nga një prej obligimeve dhe shtyllave të islamit. Asnjë nga shtyllat e tjera, namazi, agjërimi dhe zekati, nuk është përdorur si emër sureje.

Përse kjo sure ka marrë emrin Haxh, ndërkohë që ajo flet edhe për gjëra të tjera?

Që në fillimin e saj, ajo flet mbi Ditën e Kijametit. Më pas flet mbi ringjalljen dhe grumbullimin e krijesave në mahsher. Veç kësaj flet mbi xhihadin dhe më pas mbi adhurimin dhe bindjen ndaj urdhërave të Zotit.

Çfarë lidhje kanë këto tema të ndryshme me njëra-tjetrën dhe me ritin e Haxhit?

Në fakt, riti i Haxhit ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe formimin e umetit musliman. Kushdo që e kryen Haxhin me pasion dhe dashuri, ashtu siç e kryente Profeti -salallahu alejhi ue selem- do të zbulojë se ky rit e formon individin musliman në një mënyrë të çuditshme.

Haxhi të mëson dhe trajnon mbi mënyrën si do të jenë njerëzit Ditën e Ringjalljes.

Ditën që haxhinjtë lëvizin nga Arafati për në Muzdelife dhe pastaj për të hedhur gurët në Mina, e shfaq më së shumti diçka të tillë. Ngado që të hedhësh sytë do të shohësh vetëm njerëz që lusin Zotin me përkushtim dhe përgjërim. Të gjithë kanë veshur rroba të bardha, temperaturat janë të larta, njerëzit e djersitur dhe që luten me përgjërim që Zoti t’i falë dhe t’u pranojë lutjet. Një situatë e tillë do të jetë dhe Ditën e Ringjalljes. Temperaturat do të jenë shumë të larta, dielli do të ulet mbi kokat e njerëzve, do i mbulojë djersa dhe të gjithë luten me përgjërim.

Ajeti i parë i kësaj sureje është mbi Ditën dhe çastet e Kijametit:
( يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمْ ۚ إِنَّ زَلْزَلَةَ السَّاعَةِ شَيْءٌ عَظِيمٌ)
“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! (Haxh, 1)

Më pas, ajetet flasin mbi ringjalljen, daljen nga varret dhe se origjina e njeriut është nga dheu. Të njëjtat fragmente i hasim gjatë ritit të Haxhit. Dy tre ditë pasi të kesh veshur ihramin, do shohësh që je bërë gjithë pluhur. Natën që haxhinjtë flenë në Muzdelife, ngaqë janë të lodhur dhe janë shtrirë për të pushuar, të duket sikur je në një varrezë të pafund. Me t’u thirrur ezani i mëngjesit, i sheh sikur ringjallen nga varret dhe drejtohen për në xhami dhe më pas për të hedhur gurët.
(يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنْ كُنْتُمْ فِي رَيْبٍ مِنَ الْبَعْثِ فَإِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ تُرَاب)
“O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut” (Haxh, 5)

Kështu, riti i Haxhit të kujton Ditën e Kijametit, Ditën e Ringjalljes dhe të kujton rëndësinë e adhurimit, përkushtimit dhe lutjes me përgjërim. Adhurimi dhe dorëzimi i plotë para Zotit, duket më qartë ditën e Arafatit. Kushdo që e ka provuar, e kupton që jo vetëm njerëzit duken të përkushtuar dhe e lusin Zotin me përgjërim, por edhe pemët, çadrat dhe gjithçka tjetër.
(أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّهَ يَسْجُدُ لَهُ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَمَنْ فِي الْأَرْضِ وَالشَّمْسُ وَالْقَمَرُ وَالنُّجُومُ وَالْجِبَالُ وَالشَّجَرُ وَالدَّوَابُّ وَكَثِيرٌ مِنَ النَّاسِ ۖ وَكَثِيرٌ حَقَّ عَلَيْهِ الْعَذَابُ ۗ وَمَنْ يُهِنِ اللَّهُ فَمَا لَهُ مِنْ مُكْرِمٍ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَفْعَلُ مَا يَشَاءُ ۩)
“A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.” (Haxh, 18)
Pasi përmenden ajetet e Haxhit, surja sjell ajetet e xhihadit, ku Zoti thotë:
( (إِنَّ اللَّهَ يُدَافِعُ عَنِ الَّذِينَ آمَنُوا ۗ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ كُلَّ خَوَّانٍ كَفُورٍ*
أُذِنَ لِلَّذِينَ يُقَاتَلُونَ بِأَنَّهُمْ ظُلِمُوا ۚ وَإِنَّ اللَّهَ عَلَىٰ نَصْرِهِمْ لَقَدِيرٌ )
“Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues. Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë.” (Haxh, 38-39)

Ajetet e luftës përmenden direkt pas Haxhit, pasi ky rit është një stërvitje dhe trajnim i mirë. Që nga fillimi i këtij riti, shohim lëvizjet e shpeshta dhe të shumta.

Ajetet e sures Haxh, përmbledhin detajet e ritualeve të haxhit dhe vlerës së këtyre ditëve të cilat do t’i përmendim si më poshtë vijon:

Obligimi i pastrimit të shtëpisë së shenjtë nga politeizmit dhe mëkatet.

Thotë Allahu në këtë sure:
(وَإِذْ بَوَّأْنَا لِإِبْرَاهِيمَ مَكَانَ الْبَيْتِ أَنْ لَا تُشْرِكْ بِي شَيْئًا وَطَهِّرْ بَيْتِيَ لِلطَّائِفِينَ وَالْقَائِمِينَ وَالرُّكَّعِ السُّجُودِ)
“(Kujtoje, o Muhammed!) kur Ne i patëm përgatitur Ibrahimit vendin e faltorës (duke i thënë): “Mos më përshkruaj Mua shok asgjë, dhe pastroje Shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që rrinë aty dhe që falin namaz” [Haxh: 26]

Lajmërimi për haxh:

Allahu i lartësuar thotë:
(وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ)
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin…”(El Haxh: 27)

Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë:
“D.m.th. thirr ti o Ibrahim te njerëzit me haxh duke i thirrur ata të bëjnë haxh te shtëpia të cilën të urdhëruam ta ndërtosh. E pastaj e ka përmendur se Ibrahimi ka thënë:
“O Zoti im si t’i thërras njerëzit kur zëri im nuk bërrin te të gjithë ata?
Zoti i tha: Ti thirr e neve na takon kumtimi. Kështu që Ibrahimi u ngrit mbi mekam (dikush ka thënë u ngrit mbi një gurë, disa kanë thënë ka hipë mbi Safa e disa të tjerë se ka hipë mbi Ebi Kubejs) dhe ka thënë: “O ju njerëz! Zoti juaj e ka marrë një shtëpi prandaj kryeni haxhin te ajo.”
E thuhet se kodrat janë ulur sa që zëri ka arritur në të gjitha anët e sipërfaqes së tokës dhe e kanë dëgjuar edhe ata që kanë qenë në mitra dhe në shtyllën kurrizore dhe iu është përgjigjur çdo gurë, balta dhe drurët dhe të gjithë ata që Allahu e ka shkruar ta kryejnë haxhin deri në Ditën e Kijametit. Leb-bejkAllahuhume Leb-bejk.
Kjo është edhe esenca e asaj që është transmetuar nga Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrime, Seid Xhubejri dhe shumë të tjerë prej Selefit, e Allahu e dinë më së miri.”

Gjendjet e njerëzve për të ardhur në haxh

Pasi që Allahu urdhëroi Ibrahimin -alejhi selam – për të thirrur ndër njerëz, menjëherë tregon gjendjen e njerëzve që i përgjigjen thirrjes:
– këmbësorët, ata që drejtohen Qabes duke ecur në këmbë
(يأتوك رجالا)
“Të vijnë ty këmbësorë”

-Dhe jo vetëm këmbësor, por edhe
(عَلَى كُلِّ ضَامِرٍ)
“Kalorës me deve të rraskapitura”

Vazhdojnē të ecin derisa të vijnë në vendin më të mirë: Shtëpinë e Allahut.

Edhe pse ata vijnë këmbësorë apo kalorës ata vijnë gjithashtu në turma dhe grupe, si dhe nga vende të largëta:
(مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ)
“Prej rrugëve të largëta nga çdo vend”
Dhe e ka bërë profeti Ibrahim -alejhi selam’ dhe pas tij Muhamedi -salallahu alejhi ue selem- duke i ftuar njerëzit për të ardhur në këtë shtëpi dhe Allahu ua përmbushi premtimin duke ardhur njerëzit këmbësor dhe kalorës nga e gjithë bota.

Ky ajet është si ajeti në suren Ibrahim ku ai tha në lutjen e tij:
(فَاجْعَلْ أَفْئِدَةً مِنَ النَّاسِ تَهْوِي إِلَيْهِمْ)
“Bëj zemrat e njerëzve të nxitojnë tek ata” [Sure Ibrahim: 37] Kështuqë nuk ka asnjë nga muslimanët kudo që të jenë vetëm se zemrat e tyre dëshirojnë për të parë Qaben dhe për të gjithë ata është destinacioni i tyre nga të gjitha anët e botës…

Disa përfitime nga vizita e Shtëpisë së Shenjtë:

I ka përmendur Allahu i Lartësuar këto përfitime duke thënë:
{لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ}
“(Vijnë) Për të qënë të pranishëm në dobitë e atyre” (Haxh: 28)
Pra për të përfituar dobi fetare prej adhurimeve të cilat nuk mund të praktikohen vetëm se në Shtëpinë e Allahut si: tauafi, saji; dhe gjithashtu nuk ka asgjë të keqe nëse ai kërkon për të fituar në ditët e Haxhit në mënyra të lejuara përfitimi si: tregti, shitblerje…etj, në qoftë se kjo nuk do ta shkëpusë atë nga përmbushja e riteve të haxhit.

Disa nga detyrimet dhe gjërat e pëlqyeshme për haxhiun që përmenden pikërisht në ajetet 28, 29 të sures Haxh.

Është detyrë për haxhiun që kur ther një kafshë, ose therja e kurbanëve, që të përmendë emrin e Allahut para therjes, ashtu siç urdhëron Allahu:
{وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ}
“Dhe të përmendin emrin e Allahut”.

Dhe këtu ka për qëllim thënien: “Bismi lahi” para therjes së kurbaneve apo kafshëve.
Thënia: “Bismi lahi” është e detyrueshme për të gjithë haxhinjtë apo jo haxhinjtë, të cilët duan të therin një kafshë kurban apo të ngjashëm me të.
Të përmendurit e emrit të All-llahut në momentin e therjes së kafshës është kusht për lejimin e ngrënies së mishit të kafshës së therur, e kjo mbështetet në ajetet kur’anore ku All-llahu ka thënë:
(ولا تأكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه و إنه لفسق)
“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes) nuk është përmendur emri i All-llahut, ajo me të vërtetë është mëkat” (Enam: 121)

Shtimi i përmendjes së Allahut:
{فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ}
“Në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi”

Ibn Abbasi –Allahu qoftë i kënaqur me të- ka thënë: “Ditët e caktuara janë: dhjetë ditët (e Dhul-Hixhes).”
(Buhariu e ka trasmetuar këtë thënie të Ibn Abasit në trasmetimet e tij të varuara (mualakah) në formën e foljes në mënyrë të prerë.)

Është e pëlqyeshme për haxhijtë si dhe johaxhijtë për të ngrënë nga mishi i kafshëve të therura, për të dhënë lëmoshë nga ky mish dhe për ta shpërndarë të varfërve, duke u bazuar tek Fjala e Allahut ku thotë:
(فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْبَائِسَ الْفَقِيرَ)
“Pra, hani prej tyre dhe ushqeni të varfërit e mjerë” (Haxh: 28)
Shumica e dijetarëve thonë se urdhërimi këtu është në formën e lejimit dhe jo të obligimit.
Lejohet edhe ngrënia e tërë mishit të kurbanit, por është e preferuar që kurbani të ndahet në tre pjesë:
– një pjesë tu jepet sadaka të varfërve,
– një pjesë tua shpërndajë të afërmve
– dhe një pjesë tjetër ta konservojë për veten dhe familjen e tij.

El Kesani në librin e tij “Bedai” thotë:
“Më e vlefshme është që 1/3 e kurbanit të jepet sadaka, kurse me 1/3 tjetër të gostisë miqtë, familjarët dhe shokët e tij, e 1/3 ta konservojë për fëmijët e tij.”
E gjithë kjo ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit -Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme- ku ka thënë:
(فكلوا و أطعموا و ادخروا)
“Kështuqë hani, ushqeni dhe konservoni” [Transmetoi Muslimi nga hadithi i Burejde bin Husejb – Allahu qoftë i kënaqur me të-]

Ndërsa në një transmetim tjetër thotë :
(فكلوا وأطعموا وتصقدوا)
“Kështuqë hani, ushqeni dhe jepni lēmoshë (sadaka)” [Transmetoi Maliku në “Muwata” nga hadithi i Xhabir – Allahu qoftë i kënaqur me të -]

Haxhiu e ka obligim gjithashtu që të përmbushë ritualet e Haxhit, ashtu siç thotë Allahu në ajetin 29 të sures Haxh:
(ثُمَّ لْيَقْضُوا تَفَثَهُمْ وَلْيُوفُوا نُذُورَهُمْ وَلْيَطَّوَّفُوا بِالْبَيْتِ الْعَتِيقِ)
“Pastaj, le të heqin ndotësirat nga trupi i tyre dhe le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le të vizitojnë (le të sillen rreth e rrotull) Faltorës së lashtë (të nderuar).”

Pra të plotësojnë pas therjes së kurbaneve çfarë ka ngelur nga veprimet e haxhit si: qethja e flokëve ose rruajtja e tyre, gjuatja e gurëve në Xhemerat…etj.
Gjithashtu të plotësojë zotimet që ka dhënë; nëse këto zotime janë bindje ndaj Allahut duhen të plotësohen; dhe nëse ato janë mosbindje ndaj Allahut mos t’i plotësojë, sepse Profeti -salallahu alejhi ue selem – ka thënë: “Kush zotohet t’i bindet Allahut në adhurim le ta plotësojë atë dhe kush zotohet që të kundërshtojë Allahun (të bëjë gjynahe) të mos e plotësojë atë (pra të mos bëjë gjynahe) [Trasmetoi Buhariu]

Gjithashtu të bëjë taufin e ifades, i cili është një nga shtyllat e haxhit dhe taufi i përmendur në këtë ajet është taufi i ifades.

Madhërimi i dispozitave të Allahut.

Sa i mrekullueshëm êshtê haxhi i cili kombinon mes vajtjes së haxhiut në shtëpinë e shenjtë me këmbët e tij dhe marshimit me zemrën e tij drejt saj; kombinon përgjigjen e thirrjes për në haxh me zemër dhe me gjuhë.

Nëse ti pyet: Si kryhet haxhi me zemrat tona?

Përgjigjen e gjen në ajetet e kësaj sure tē mrekullueshme që flasin për madhërimin.
Kështuqë kush don që ta kryejë haxhin me zemër le të hyjë në zemrën e tij madhërimi i saj që kërkohet që të madhërohet duke u munduar në zemrën e tij me zellin më të madh për të arritur këtë.

Surja Haxh thekson rëndësinë e madhërimit të tre çështjeve të rëndësishme:

1- Madhërimi i Allahut duke e adhuruar atë me sinqeritet të plotë.

Shfaqet kjo tek të gjitha ajetet e sures dhe ne po përmendim prej tyre Fjalën e Allahut:

– (حُنَفَاءَ لِلَّهِ غَيْرَ مُشْرِكِينَ بِهِ وَمَنْ يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَكَأَنَّمَا خَرَّ مِنَ السَّمَاءِ فَتَخْطَفُهُ الطَّيْرُ أَوْ تَهْوِي بِهِ الرِّيحُ فِي مَكَانٍ سَحِيقٍ)
“Duke iu përulur Allahut, e duke mos i bërë (asgjë) shok Atij. Kush i bën shok Perëndisë, ai i ngjanë atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose që stuhia e erës e ka hedhur në vende të largëta” (Haxh : 31)

Ndërsa në fund të sures Allahu thotë:
– (أَلَمْ تَعْلَمْ أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِي السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ إِنَّ ذَلِكَ فِي كِتَابٍ إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ * وَيَعْبُدُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ بِهِ سُلْطَانًا وَمَا لَيْسَ لَهُمْ بِهِ عِلْمٌ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ نَصِيرٍ)

“A nuk din ti, se Allahu njeh çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, të gjitha këto, për Allahun janë të lehta.
Dhe, adhurojnë përveç Allahut atë për të cilën, Ai nuk u ka dërguar atyre asnjë argument, dhe ata nuk kanë kurrfarë dije. E për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmës.” (Haxh: 70, 71)

Por të kenë kujdes disa njerëz që e adhurojnë Allahun duke qënë në dyshim, vërtetë që të tillët janë në humbje në dynja dhe në Ahiret. Allahu thotë për këtë:

– (وَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَعْبُدُ اللَّهَ عَلَى حَرْفٍ فَإِنْ أَصَابَهُ خَيْرٌ اطْمَأَنَّ بِهِ وَإِنْ أَصَابَتْهُ فِتْنَةٌ انْقَلَبَ عَلَى وَجْهِهِ خَسِرَ الدُّنْيَا وَالْآخِرَةَ ذَلِكَ هُوَ الْخُسْرَانُ الْمُبِينُ)
“Dhe ka njerëz që e adhurojnë Allahun sipas leverdisë e interesit, që nëse i vjen mirësi ai qetësohet, e nëse e goditë fatkeqësia ai kthehet në mohim; e kështu e humbë këtë botë dhe tjetrën. Kjo, në të vërtetë, është humbje e qartë.” (Haxh: 11)

2- Madhërimi i ditës së Gjykimit dhe çdo gjë që përfshin besimi në këtë ditë prej ringjalljes, llogarisë dhe shpërblimit.

Ajetet e sures Haxh e përshkruajnë ditën e Gjykimit me pamje aq tronditëse sa tronditen zemrat me tronditje të rëndë
Allahu thotë :
(يَوْمَ تَرَوْنَهَا تَذْهَلُ كُلُّ مُرْضِعَةٍ عَمَّا أَرْضَعَتْ وَتَضَعُ كُلُّ ذَاتِ حَمْلٍ حَمْلَهَا وَتَرَى النَّاسَ سُكَارَىٰ وَمَا هُمْ بِسُكَارَىٰ وَلَٰكِنَّ عَذَابَ اللَّهِ شَدِيدٌ)
“Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjiri dhe secila shtatëzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i ashpër.” (Haxh: 2)

Po kështu ajetet e sures flasin edhe për shpërblimin. Për besimtarët Allahu ka përgatitur këto begati. Allahu thotë
(إِنَّ اللَّهَ يُدْخِلُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ يُحَلَّوْنَ فِيهَا مِنْ أَسَاوِرَ مِنْ ذَهَبٍ وَلُؤْلُؤًا وَلِبَاسُهُمْ فِيهَا حَرِيرٌ)
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu i vendos në xhennete, nëpër të cilin rrjedhin lumenj, aty stolisen ata me rrathë të artë e me xhevahirë, e petkat e tyre janë të mëndafshta.” (Haxh: 23)

3- Madhërimi i asaj që Allahu e bëri të shenjtë dhe madhërimi i shtyllave të fesë si: namazi, zekati, haxhi etj.

Janë përsëritur në këtë sure ajetet mbi domosdoshmërinë e madhërimit të riteve e haxhit. Allahu thotë:
(ذَلِكَ وَمَنْ يُعَظِّمْ حُرُمَاتِ اللَّهِ فَهُوَ خَيْرٌ لَهُ عِنْدَ رَبِّهِ)
“Pra, kështu: Kush madhëron atë që All-llahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet.” (Haxh: 30)

(ذَلِكَ وَمَنْ يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِنْ تَقْوَى الْقُلُوبِ)
“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (Haxh: 32)

Duke sqaruar se origjina e madhërimit është në zemër. Ashtu siç e përforcon edhe më shumë këtë ajeti 37, ku Allahu thotë :
(لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنِينَ)
“Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (Haxh: 37)

Gjëja më e madhe që e ndërpret rrugën e njeriut për tek Allahu dhe shtëpia e Shenjtë është mungesa e madhërimit të dispozitave të Allahut; kështuqë Allahu ka treguar në këtë sure dhe ka theksuar nevojën për madhërimin e shtëpisë së shenjtë, mekamit të Ibrahimit, Safa dhe Merue, Mina Arafat dhe Muzdelife, xhemaratet dhe udhëzimet që nuk derdhet gjaku i kurbanëve vetëm se për Allahun.
Dhe nuk do të thotë madhërimi i tyre që të mendojmë se këto vende sjellin dobi apo dëm për njerëzit, por madhërimi i dispozitave të Allahut është shenjtërimi i tyre, respektimi dhe adhurimi dhe plotësimi i të gjitha dispozitave që Allahu urdhëroi për t’i kryer sipas mundësisë, sepse të gjitha këto kanë burim devotshmërinë e zemrave.

Kjo është ajo që përmblodhëm mbi kuptimin e ajeteve të sures Haxh, duke u përqëndruar tek dispozitat e Haxhit dhe çdo gjë që ka lidhje me të, me shpresën që të përfitohet dhe të bëjë dobi.
Lus Allahun që të na furnizojë sinqeritet në fjalë e në vepra. Dhe duaja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave; paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij.

Pergatiti: Adelina Kuçana (Allkoçi)

Exit mobile version