Policia spanjolle shkatërron një prej bandave më të mëdha të kokainës në Madrid, arreston 12 persona
Shkatërrohet një prej bandave më të mëdha të drogës në Madrid të Spanjës. Në një megaoperacion të zhvilluar nga policia spanjolle kanë rënë në pranga 12 persona të cilët akuzohen si anëtarë të bandës.
Një Ferrari i kuq me vlerë 250,000 euro (298,800,00 dollarë) dhe një arsenal armësh përfshirë pistoleta dhe një shpatë japoneze u kapën kur u arrestuan 12 anëtarët e bandës.
Policia sekuestroi edhe 600 kilogramë kokainë. Po ashtu në banesat e të prangosurve u seksuestruan gjithashtu edhe rreth 700,000 euro dhe mbi 20 makina të tjera të shtrenjta. Kreu i grupit ishte një maroken, dhe midis të arrestuarve ishte një avokat që kryente punë të ndihmës juridike me pagesë, këshillonte për çështje të pastrimit të parave dhe ekzekutonte transaksione me kokainë.
Sipas mediave të huaja, anëtarët e bandës përdornin emra të koduar për t’u referuar anëtarëve të tjerë të organizatës ose apartamenteve që përdornin për të ruajtur kokainën. Operacioni u krye në bashkëpunim me Policinë Kombëtare Kolumbiane dhe arrestimet ndodhën në qytete të shumta spanjolle duke përfshirë Badajoz, Guadalajara, Madrid, Malaga dhe Valencia. Hetimi ndaj tyre nisi në fillim të vitit 2020, në Madrid dhe Malaga dhe u finalizua sot. /shqiptarja