Gjatë 12 orëve të fundit janë zhvilluar 3 operacione antidrogë në Vlorë, Lezhë dhe Mat, ku janë sekuestruar rreth 97 kg kanabis.
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “WEST”, duke sekuestruar 80 kg kanabis e duke arrestuar një 62-vjeçar, zotërues i lëndës nartkotike. Bëhet fjalë për shtetastin Spiro Tupa, banues në fshatin Beshisht të Vlorës.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas dispononte lëndë narkotike në banesë gati për ta shitur, menjëherë Policia e Vlorës ka shkuar në fshatin Beshisht, duke bërë të mundur kapjen tij në flagrancë në banesë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, policia ka gjetur një sasi me lëndë narkotike me peshë prej 80 kg. Lënda narkotike ishte e fshehur në një dhomë, e ndarë nëpër thasë sintetikë me thurje dhe në qese të zeza plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në Lezhë është zhvilluar operacioni i koduar “Reps”, ku janë sekuestruar 11 kg kanabis dhe është arrestuar poseduesi i lëndës narkotike, shtetasi Fatmir Gjonikaj, 28 vjeç, banues në Mirditë, transmeton TCH.
Ndërsa në Mat është zhvilluar operacioni “Minuta e fundit”. Specialistët për narkotikët kanë sekuestruar 6 kg kanabis si dhe kanë vënë në pranga 3 shtetas: Alfred Dedja, 30 vjeç; Jurgen Alzeneli, 21 vjeç, dhe K.K, 18 vjeç, të gjithë banues në qytetin e Burrelit.