Kaos në Zimbabve, ushtria arreston njerëzit e Presidentit

Lufta për pushtet në Zimbabve është ashpërsuar ndjeshëm me ndërhyrjen e ushtrisë që mori nën kontroll televizionin shtetëror e ka shënjestruar njerëzit pranë presidentit Robert Mugabes nën arsyetimin se janë përgjegjës për situatën e rënduar sociale dhe ekonomike të vendit.

Kreu i shtetit të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, deklaroi se Mugabe është vendosur në arrest shtëpie. Trupat ushtarake patrullojnë tani rrugët e Hararës. E gjithë kjo lëvizje sipas BBC-së mund të jetë një përpjekje për të zëvendësuar liderin 93-vjeçar me numrin dy të shtetit, të shkarkuar para pak ditësh, Emmerson Mnangagwa.

Largimi i këtij të fundit i hapte rrugën drejt pushtetit bashkëshortes së Presidentit, Grace Mugabe. Përgjatë gjithë orëve të mëngjesit, në kryeqytet dëgjoheshin të shtëna armësh e zjarr artilerie.

Mugabe, e ka dominuar skenën politike të vendit të varfër që prej shpalljes së pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1980. Gjeneral Majori Sibusiso Moyo u përpoq të tregonte se presidenti dhe familja e tij janë shëndoshë e mirë dhe siguria e tyre është e garantuar.

“Zemërimi ynë i drejtohet vetëm kriminelëve rreth tij që po kryejnë krime, që po shkaktojnë vuajtje sociale dhe ekonomike”, u shpreh ai; “Sapo të kemi përmbushur misionin tonë, presim që situata të kthehet në normalitet”.