Njësia Qendrore e Operacioneve (UCO) ka nisur hetim kundër Federatës Spanjolle të Futbollit për kontrata që dyshohet se janë të parregullta gjatë pesë vjetëve të fundit dhe janë bërë disa arrestime, shkruan Marca.
Operacioni drejtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Madridit, në koordinim me Prokurorinë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në kuadër të këtij operacioni, agjentët e UCO-së kanë kryer kontrolle dhe arrestime të ndryshme në disa provinca spanjolle këtë të mërkurë.
Agjentët e UCO-së hetojnë krimet që kanë të bëjnë me korrupsionin, keqadministrimin dhe pastrimin e parave.
Dhjetëra shtëpi janë bastisur.
Një nga shtëpitë që po kontrollohet është ajo e ish-presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, i cili u pezullua për tre vjet nga të gjitha detyrat futbollistike për shkak të skandalit pas finales së Botërorit për femra.
Ndër dokumentet e diskutueshme janë edhe kontratat e nënshkruara nga Federata Spanjolle e Futbollit me Arabinë Saudite, mikpritëse e ndeshjeve të Superkupës së Spanjës. Në ato negociata ishte përfshirë kompania Kosmos, pronari i së cilës është Gerard Pique, dhe kontratat i siguruan shoqatës fitim prej 40 milionë euro në vit.