Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kaos me udhëtimet për dhjetëra mijë njerëz pas anulimit të fluturimeve

Kaos me udhëtimet për dhjetëra mijë njerëz pas anulimit të fluturimeve

Dhjetëra mijë pasagjerë të linjave ajrore janë prekur nga anulimi i mijëra fluturimeve, për shkak se rritja e rasteve të infektimeve me Covid ka shkaktuar mungesa të stafit.

Më shumë se 7,500 fluturime janë anuluar që nga e premtja, gjatë fundjavës së Krishtlindjeve, sipas faqes së internetit të gjurmimit të të dhënave FlightAware.

Linjat ajrore kineze dhe amerikane duket se janë më të goditurat, ndërkohë që paralajmërohen vonesa dhe anulime të tjera për të hënën.

Kompanitë thonë se këto anulime vijnë për shkak se ekuipazhet e linjave ajrore janë testuar pozitiv me Covid.

Stafi që nuk ka rezultuar pozitiv nga testimet, por ka qenë në kontakt me të infektuarit, është detyruar të izolohet.

Rastet e regjistruara me Covid po rriten ndjeshëm në të gjithë botën, kryesisht për shkak të variantit të ri Omicron.

Pavarësisht të dhënave të hershme se Omicron është më i lehtë se variantet e tjera të koronavirusit, shkencëtarët janë të shqetësuar nga numri i madh i infektimeve që po identifikohen.

Të dielën, më shumë se 2,400 fluturime u anuluan – mbi 800 prej të cilave do të vinin nga aeroportet amerikane ose do të shkonin drejt tyre, sipas FlightAware.

Kompanitë amerikane më të goditura nga këto anulime janë Delta, United dhe JetBlue.

United paralajmëroi më herët se një rritje në rastet e Omicron kishte “ndikuar drejtpërdrejt tek ekuipazhet tona të fluturimit dhe te njerëzit që drejtojnë operacionet tona”, duke shtuar se po kontaktonte pasagjerët e ndikuar nga anulimet, përpara se ata të vinin në aeroport.

Omicron është tani varianti dominues në SHBA.

Megjithatë, linja ajrore më e prekur nga të gjitha duket se është China Eastern, me më shumë se 390 fluturime të anuluara ditën e diel.

Aeroporti në qytetin verior kinez të Xi’an ka raportuar më shumë se 120 anulime fluturimesh.

Më shumë se 13 milionë njerëz në Xi’an janë urdhëruar së fundmi të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet po përballen me një shpërthim të infektimeve me Covid atje.

Në aeroportin Heathrow të Londrës janë anuluar 60 fluturime nga e diela deri më tani.

Gati 5.4 milionë njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në mbarë botën, sipas Universitetit Amerikan Johns Hopkins. Në total ka pasur më shumë se 279 milionë raste të konfirmuara me Covid. /monitor

Exit mobile version