Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kancelari gjerman Olaf Scholz vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimit tregtar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kancelari gjerman qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, si pjesë e turnit të tij rajonal, pasi dje vizitoi Serbinë dhe Kosovën.
Në konferencën e përbashkët për media të dy liderëve, u theksua gjithashtu mbështetja për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera të rajonit.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e fuqishme dhe tha se kjo është inkurajim për vendin.
Ai gjithashtu përshëndeti marrëdhëniet e mira tregtare dhe u bëri thirrje kompanive gjermane që të vazhdojnë të investojnë në Maqedoninë e Veriut.
“Këtë vit shënojmë 29 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Gjatë kësaj periudhe tridekadëshe, Gjermania u vendos dhe mbajti vendin e parë në shkëmbimin tregtar me vendin tonë, në vlerë prej 4,2 miliardë euro. Më shumë se 45 për qind e eksporteve të përgjithshme të Maqedonisë së Veriut përfundon në Gjermani. 200 kompani gjermane janë partnere të kompanive maqedonase dhe kanë hapur 20 mijë vende pune këtu”, tha Kovaçevski.
Kancelari Scholz tha se për Gjermaninë, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe se angazhohet për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE.
Duke theksuar se perspektiva evropiane u është premtuar vendeve të rajonit para 20 vitesh, Scholz tha se tani është koha që të pasojnë veprat.
“Gjermania është serioze për eurointegrimet e vendeve të rajonit dhe kjo posaçërisht vlen për Maqedoninë e Veriut. BE posaçërisht i ka premtuar Maqedonisë së Veriut, e cila i plotësoi të gjitha parakushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha Scholz.
Ai përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilën u zgjidh kontesti i emrit.
Kancelari gjerman përshëndeti gjithashtu faktin që Maqedonia e Veriut mbështeti pozitën e BE-së ndaj Rusisë dhe vendosi sanksione shkaku i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, duke shtuar se kjo është një dëshmi shtesë për orientimin evropian të vendit.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Scholz tha se ato janë të larmishme dhe të afërta.
“Këtë e vërtetojnë edhe numrat nga marrëdhëniet tona ekonomike, që janë një storje suksesi. Nga viti 2014 deri në 2021, shkëmbimi i përbashkët tregtar ka tejkaluar dyfishin, nga 2,2 në 4,7 miliardë euro”, tha Scholz.
Ai inkurajoi bashkëpunimin rajonal ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se dëshiron “rigjallërimin” e Procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014 dhe i cili parasheh krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
– Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura në NATO
Gjatë konferencës për media, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u pyet nga mediat gjermane në lidhje me atë se si duhet të reagojë NATO ndaj veprimeve të Türkiye-s (Turqisë) sa i përket anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë si dhe retorikës turke ndaj Greqisë.
Në përgjigjen e tij, Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut është vendi më i ri në NATO dhe anëtarësimi është bërë falë politikës së dyerve të hapura të aleancës dhe “vendimeve të vështira” që është dashur t’i merr vendi, duke aluduar në marrëveshjen për kontestin e emrit me Greqinë.
Sa i përket zgjerimit të NATO-s, Kovaçevski tha se e mbështet politikën e dyerve të hapura për të gjitha vendet që ndajnë vlerat e aleancës së NATO-s, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim pozitiv për pranimin e Suedisë dhe Finlandës dhe përkitazi me këtë, ka autorizuar ambasadorin e vet në NATO.
“Duke e pasur parasysh mënyrën e miratimit të vendimeve në NATO, mund vetëm të shpresoj që në procedurën e mëtejme, të gjitha vendet anëtare do të mund të ndërtojnë qëndrim të përbashkët sa i përket zgjerimit pozitiv të NATO-s”, tha Kovaçevski.
Qëndrimet për të gjitha çështjet dhe vendimet tjera të NATO-s, shtoi ai, do të shpalosen nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë samitit të aleancës në Madrid, që është paraparë të mbahet në fund të këtij muaji. /aa