Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kancelari Scholz i Gjermanisë bën thirrje për de-përshkallëzim pas su’lmit iz’raelit në...

Kancelari Scholz i Gjermanisë bën thirrje për de-përshkallëzim pas su’lmit iz’raelit në Iran

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Iranit të ushtrojë përmbajtje pas sulmit hakmarrës të Izraelit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Scholz tha se qeveria izraelite ka informuar Berlinin se ka kryer sulme “të shënjestruara dhe precize” ndaj objekteve ushtarake të Iranit.

“Ata janë përpjekur të minimizojnë viktimat njerëzore. Kjo ofron mundësinë e shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm”, tha Scholz.

Ai i kërkoi Iranit të mos përgjigjet ndaj sulmeve të Izraelit gjatë natës.

“Mesazhi im për Iranin është i qartë. Ky përshkallëzim nuk duhet të vazhdojë me reagime masive. Kjo duhet të marrë fund tani. Kjo do të ofrojë një mundësi për zhvillim paqësor në Lindjen e Mesme”, tha Scholz.

Kancelari gjerman përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim në Gaza dhe u kërkoi të gjithë aktorëve përkatës të kontribuojnë në përpjekjet e vazhdueshme diplomatike.

“E njëjta gjë vlen edhe për Libanin. Rezoluta 1701 e OKB-së duhet të drejtojë sjelljen e të gjitha palëve të përfshira. Presim që Hezbollahu të tërhiqet pas lumit Litani. Kështu që ky zhvillim paqësor mund të jetë i mundur edhe këtu”, tha Scholz.

Të paktën dy ushtarë iranianë u vranë gjatë natën së kaluar si pasojë e sulmit ndaj objekteve ushtarake iraniane nga ushtria izraelite, i cili erdhi në përgjigje të sulmit me raketa balistike në shkallë të gjerë të Iranit në Izrael më 1 tetor.

Shtëpia e Bardhë tha se sulmet e Izraelit duhet t’u japin fund shkëmbimeve të drejtpërdrejta të zjarrit midis dy palëve, duke paralajmëruar Teheranin për “pasoja” nëse ai përgjigjet.

Zyrtarët ushtarak iranianë më herët kishin paralajmëruar se çdo sulm nga Izraeli do të përballej me një “përgjigje më të ashpër”.

Exit mobile version