Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë Turqinë më 19 tetor

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë Turqinë më 19 tetor, njoftoi qeveria e vendit, transmeton Anadolu.

Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Berlin, deklaroi se kancelari Scholz do të vizitojë Turqinë fundjavën e ardhshme dhe se do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në Istanbul më 19 tetor.

Büchner tha që pas takimit do të mbahet konferencë për shtyp.

Duke u shprehur se nuk mund të thotë asgjë paraprakisht për përmbajtjen e takimit, Büchner vuri në dukje se krahas luftës në Ukrainë dhe situatës në Lindjen e Mesme, pritet të diskutohet edhe për emigracionin, marrëdhëniet dypalëshe dhe politikat ekonomike.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me qëndrimin e qeverisë gjermane në lidhje me shitjen e avionit Eurofighter, Büchner tha se nuk mund të thotë asgjë për negociatat që do të zhvillohen, përveç se, siç dihet, këtu nuk është bërë asnjë deklaratë e detajuar për eksportin e armëve.

Ndaj pyetjes së një gazetari nëse “duhet të presim ndonjë të re nga kjo vizitë?”, Büchner përsëriti se nuk do të thotë asgjë për eksportet e armëve dhe se nuk kishte asgjë për të njoftuar. “Por, sigurisht, gjithmonë mund të presësh diçka të re nga vizita e kancelarit gjerman me presidentin e Turqisë”, shtoi Büchner.

Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane transmetoi se lufta e Ukrainës do të jetë një çështje e rëndësishme në vizitë dhe se “Turqia këtu është një partner i rëndësishëm”.