Vizitën e tij dyditëshe në pesë vende të rajonit, ai do ta nisë me Kosovën.
RTKlive nga burimet e saja ka mësuar se në mëngjesin e 10 qershorit, Scholz do të qëndrojë për katër orë në Prishtinë.
Por ndryshe nga paraardhësja e tij, ish kancelarja Angela Merkel e cila gjatë qëndrimit në Ballkan, në Kosovë pati qëndruar me 19 dhjetor 2011, vetëm në Aeroportin e Prishtinës, për një takim të shpejtë me liderët kosovarë të asaj kohe, Scholz ka ndryshuar tërësisht itinerarin e vizitës.
Nëse Merkel e kishte lënë Kosovën ndër të fundit në listë të vizitave, Scholz e nis vizitën në Ballkan pikërisht me Kosovën.
Përveç liderëve shtetërorë, ai do të takojë edhe ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Brenda ditës së premte, nga Prishtina ai do të vizitojë Beogradin.
Kancelari Scholz, sipas radiotelevizionit publik, do të qëndrojë vetëm dy orë.
Megjithatë, natën kancelari Scholz nuk do ta kalojë në kryeqytetin serb.
Në mbrëmje,ai do të fluturojë drejt Greqisë ku në Selanik, të nesërmen në mëngjes do të marrë pjesë në një takim me krerët e vendeve tëProcesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin 1996.
Ai konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është krijuar në vitin 2008, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.
Kryesinë e SEECP aktualisht e ka Greqia, mbi bazën e parimit të rotacionit.
Të njëjtën ditë, me 11 qershor, nga Selaniku, Scholz do të qëndrojë në Shkup dhe pasdite në Bullgari.
Kjo vizitë pritet t’u japë shtysë zhvillimeve politike ne rajon, tani pas luftës në Ukrainë.