Kanadaja kërkon përgjigje nga princi saudit për rastin Khashoggi

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau kërkoi nga princi trashëgimtar i Arabisë Saudite Muhammed bin Selman që të japë përgjigje në pyetjet lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas transmetuesit zyrtar të Kanadasë, televizionit CBC, Trudeau në Samitin e Liderëve G20 në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, ka zhvilluar një takim të shkurtër me Muhammed bin Salman.

Me këtë rast Trudeau ka kërkuar nga princi trashëgimtar saudit bin Salman që të përgjigjet në pyetjet lidhur me vrasjen e Khashoggit. “Ka nevojë për përgjigje më të mira në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi”, ka thënë ai.

Trudeau ka njoftuar princin trashëgimtar bin Salman se duhet të lirohet edhe aktivisti i Arabisë Saudite, Raif Bedevi.

Takimi i Trudeaut dhe Princit të kurorës ishte i pari pas krizës diplomatike mes dy shteteve, e cila shpërtheu në gusht pas arrestimit të disa aktivistëve për të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite.

Princi trashëgimtar i Arabisë Saudite, ishte bërë objektiv i kritikave pas vrasjes së gazetarit Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor. Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) pretendon se ka arritur në përfundim se urdhrin për vrasjen e Khashoggit e ka dhënë Muhammed bin Salman.