Janë shtuar masat e sigurisë nëpër xhami dhe qendra të lutjes në të gjithë Kanadanë pasi policia njoftoi dje se një xhami në Kembrixh të Ontarios ishte vandalizuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Xhamia Baitul Kareem u vandalizua të mërkurën dhe u dëmtua shumë, ku literatura islame gjithashtu “u hodh në të gjithë dhomën”, tha Asif Khan, drejtor i marrëdhënieve me publikun të Xhematit Musliman Ahmedije të Kanadasë, në një intervistë me Korporatën Kanadeze të Transmetimit (CBC).
Organizata gjithashtu bëri një deklaratë duke e quajtur incidentin “akt të urrejtjes, me dëme që tejkalojnë dhjetëra mijëra dollarë”.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për këtë sulm ndaj Xhamisë Baitul Kareem”, tha Lal Khan Malik, presidenti kombëtar i Xhematit Musliman Ahmedije të Kanadasë.
“Xhamitë tona kanë shërbyer gjithmonë si simbole të paqes në komunitet dhe është e dhimbshme për ne të shohim xhaminë tonë të sulmuar dhe të vandalizuar në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Organizata gjithashtu shtoi masat e sigurisë në xhamitë dhe qendrat e saj të lutjes në të gjithë Kanadanë.
Policia shkoi në xhami menjëherë pas orës 16:00, kur një hoxhë u kthye në ndërtesën e mbyllur dhe dëgjoi zhurma brenda. I dyshuari ose të dyshuarit ishin zhdukur në kohën kur erdhi policia.
“Nuk e dimë 100 përqind me siguri se cili ishte motivi i njerëzve që e bënë këtë, por është e panevojshme të thuhet, siç mund të shihni rreth nesh këtu, kishte një element të urrejtjes me siguri”, tha Maqbool Sheikh për CBC teksa qëndronte brenda në xhami.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford foli për incidentin në një konferencë për media, duke thënë “nuk ka vend për urrejtje” në Ontario.
“Kanë ardhur shumë njerëz nga të gjithë fqinjët tanë dhe kanadezët, njerëzit të cilët sot thjesht vinin duke na thënë se kemi dëgjuar për këtë, ne ju mbështesim. Ne pajtohemi me atë që ata po thonë, se kjo është vetëm një veprim i një pakice, por është diçka që duhet ta adresojmë”, tha Sheikh.
Thuhet se organizata operon rreth 25 xhami në Kanada. /aa