Votuesit i thanë “jo” alokimit të një hapësire për ndërtimin e një varreze të muslimanëve në një referendum në qytezën Saint-Apollinaire në provincën Quebec të Kanadasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në referendumin e mbajtur dje në qytezën Saint-Apollinaire kanë votuar 36 nga gjithsej 46 persona që u regjistruan për të marrë pjesë dhe që jetojnë në afërsi të sipërfaqës së kërkuar për varrezë.
Rezultati i referendumit tregoi se 19 votues i kanë thënë “jo” kërkesës për alokimin e varrezës për muslimanët, 16 kanë votuar “pro”, kurse një votë është shpallur e pavlevshme
“Ky akt është kundër retorikës për bashkëjetesë”
Muhammed Labidi, kryetari i Xhamisë Qendra Kulturore Islame e Quebecut, në deklaratën e tij pas referendumit tha se kanë përjetuar dëshpërim të madh nga rezultati.
“Ndihemi të pavlerësuar. Ky akt në Saint-Apollinaire është kundër retorikës për bashkëjetesë”, theksoi Labidi, duke shtuar se do të vazhdojnë kërkimet për ndërtimin e varrezës në një vend afër qytezës.
Kërkesa për varrezën në Saint-Apollinaire ishte bërë nga ana e kryesisë së Xhamisë Qendra Kulturore Islame e Quebecut, e cila në muajin janar ishte shënjestër e një sulmi terrorist që mori jetën e gjashtë personave. Kufoma e njërit prej viktimave të sulmit ishte dërguar në një varrezë muslimane në qytetin Laval, që gjendet në largësi prej 267 kilometrash.
Duke qenë në kërkim të një vendi të ri për të ndërtuar varrezë të muslimanëve, meqë varrezë e tillë nuk ekziston në kryeqytetin e provincës së Quebecut, Quebec City, kryesia e xhamisë kishte kërkuar hapjen e një varreze në një sipërfaqe prej 5.500 metrash katrorë në qytezën Saint-Apllinaire me popullsi prej 6.400 që gjendet 35 kilometra në veriperëndim të Quebec City, duke paguar për të 215 mijë dollarë.
Projekti ishte mbështetur edhe nga ana e kryebashkiakut të qytezës, Berard Oullet, ndërsa i njëjti, sipas ligjeve kanadeze, doli në shpallje në muajin prill, për arsye të statusit të sipërfaqes që do të ndryshonte. Pas shpalljes, një grup në qytet ishte organizuar dhe kishte trokitur derë më derë për të kërkuar që popullata ta kundërshtonte projektin, me çka, sipas një vendimi të marrë, ishte caktuar referendum për më datë 16 korrik.