Kanada, një gazetare jep dorëheqje nga transmetuesi publik për shkak të “bashkëfajësisë në gje’noci’din” në Ga’za

Arfa Rana, një ish-gazetare e Korporatës Kanadeze të Transmetimeve (CBC), dha dorëheqje në shenjë proteste për shkak të mënyrës së raportimit të bombardimeve të pamëshirshme të Izraelit ndaj palestinezëve, të cilin ajo e vlerëson si të qenit “bashkëpunëtor në gjenocidin” në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Rana shprehu zhgënjimin me atë që ajo e përshkroi si mbulim të njëanshëm të CBC-së që injoron kontekstin historik dhe nuk arrin të njohë shkallën e plotë të vuajtjes palestineze.

“Unë u tmerrova nga mungesa e kontekstit historik të CBC-së midis Izraelit dhe Palestinës dhe gjuha e përdorur për të mbrojtur masakrën e Izraelit ndaj palestinezëve”, shkroi Rana në Mondoweiss, një faqe e pavarur lajmesh që informon lexuesit për zhvillimet në Izrael, Palestinë dhe politikën e jashtme të SHBA-së.

“Udhëzuesi i CBC-së për Lindjen e Mesme është një oksimoron katastrofik”, tha ajo, duke kritikuar qasjen për neutralizimin e raportimit mbi rajonin dhe duke theksuar mungesën e raportimit mbi shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli.

Pavarësisht se i ngriti shqetësimet e saj brenda vendit ku punonte, Rana tha se ishte e margjinalizuar dhe e anashkaluar në redaksi.

Duke nxjerrë në pah ngarkesën emocionale të punës në një mjedis të tillë, Rana tha se është ndjerë e lehtësuar në momentin kur ka dhënë dorëheqje.

Ajo tha se shpreson që përvoja e saj do të inkurajojë gazetarët e tjerë të pyesin se si mediat formojnë opinionin dhe narrativën publike.

“Tani është koha që gazetarët të përdorin fuqinë e tyre për të ndryshuar opinionet e masave përmes lajmeve që shkruajnë. Në fund të fundit, tregimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrim moral njerëzor, por për gazetarët është gjithashtu një akt revolucionar”, vuri në dukje ajo.