Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau dhe disa liderë indigjenë deklaruan se zjarrvënia dhe vandalizmi që kanë në objektiv kishat katolike pas gjetjes së varreve pa emër në ish-shkollat konviktore të kishave, nuk janë rruga për të siguruar drejtësinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë lidhur me kishat që janë djegur ditët e fundit, kryeministri Trudeau tha se “Kjo nuk është rruga që duhet të ecet. Shkatërrimi i vendeve të adhurimit është i papranueshëm dhe duhet të ndalet. Duhet të punojmë së bashku për të rregulluar gabimet në të kaluarën”.
Kreu i Asamblesë Kombëtare të First Nations, Perry Bellegarde në deklaratën e tij tha se e kupton që njerëzit janë të inatosur por që djegia e kishave nuk është rrugëzgjidhja.
“Pa dyshim, mund ta kuptoj zhgënjimin, zemërimin, lëndimin dhe dhimbjen. Por, të shkatërrosh diçka nuk është mënyra jonë. Rruga jonë është të formojmë marrëdhënie dhe të bashkohemi”, theksoi Bellegarde.
Pas zbulimit të varreve pa emër të fëmijëve në ambientet e ish-shkollave konviktore në British Columbia dhe Saskatchewan, nga zjarret e konsideruara nga policia si “të dyshuara” në javët e fundit u dëmtuan ose u dogjën plotësisht 6 kisha katolike historike në të gjithë vendin prej të cilave 4 në rajonin British Columbia, 1 në Alberta dhe së fundmi 1 në Skocinë e Re.
Ndërsa në hyrjen kryesore të katedrales St.Paul’s në Saskatchewan personi ose persona të paidentifikuar lanë shenja të dorës të lyer me bojë të kuqe që përfaqësojnë duar të përgjakura me mbishkrimin “Ne ishim fëmijë”.
– Digjet edhe qendra e indigjenëve
Në anën tjetër pas zjarrvënieve në kishat katolike, mbrëmë ka shpërthyer zjarr në një qendër që u përket indigjenëve në Sheshatshiu në të cilin jetojnë vendasit (indigjenët) Innu First Nation në rajonin Newfoundland-Labrador.
Zjarri në qendrën Innu First Nation në të cilën vazhdojnë ndërtimet për shkak të punimeve të rinovimeve, e bëri të papërdorshme pjesën më të madhe të ndërtesës.
Si pasojë e zjarrit të shpërthyer në ndërtimin e planifikuar që do të përfundonte deri në muajin gusht, nuk ka pasur të vdekur ose të plagosur. /aa