Rrjeti i parë i dyqaneve të shitjes me pakicë të kanabisit është hapur të hënën në Ontario, duke tërhequr kështu radhë të gjata klientësh të entuziazmuar në atë që rezulton të jetë tregu më i madh i marijuanës në Kanada, vetëm 6 muaj pas legalizimit të lëndës narkotike.
Në Toronto, dhjetëra persona qëndruan përgjatë natës jashtë dyqanit të vetëm në qytet, “Hunny Pot Cannabis Co.”, ndërkohë që në Ottawa, një klient i veshur me xhup gëzofi me kapuç tha se kishte pritur dy orë në mes të të ftohtit, vetëm e vetëm që të ishte i pari në radhë në “Fire and Flower”.
“Jemi në çeljen e tregut të parë të shitjes me pakicë në Ontario, qyteti më i madh në Kanada, e kemi pritshmëri të larta për ecurinë e dyqanit tonë në këtë provincë”, tha Trevor Fencott, shefi ekzekutiv i “Fire and Flower”.
“Ne presim shitje tejet të shpejta sot”, tha ai, ndërkohë që klientët mësynë ambientin në fjalë si të ishte dita e “e premtes së zezë”, kur shënohen ulje drastike çmimesh për produkte të tjera.
Shitësi me pakicë, i cili veç ambientit në tregun “Byward” në qendër të Ottaëës ka edhe 9 dyqane të tjera në Alberta dhe Saskatchewan, ka bashkëpunuar me një kontabilist lokal dhe me një ish-shitës pajisjesh elektroshtëpiake për ngrohje/ftohje për të hyrë në tregun e Ontarios.
Në tetor të vitit të kaluar, Kanadaja u bë vendi i dytë në botë, por i pari mes vendeve më të industrializuara të G7-s, që legalizonte përdorimin e kanabisit për qëllime rekreative. Përgjatë 6 muajve, një grumbull dyqanesh “online” dhe fizikë kanë “mbirë” në mbarë vendin, pasi secila provincë hartoi kuadrin e vet të shitjes me pakicë të marijuanës.
Në Quebec pati radhë të jashtëzakonshme jashtë dyqaneve të drejtuara nga qeveria, gjatë muajve të parë të shitjes. Ontario nisi të shesë kanabisin përmes një portali “online” në tetor, ndërkohë që një lotari u hodh në dhjetor për pronarët e ardhshëm të dyqaneve të marijuanës. Vetëm 10 prej fituesve mundën të hapnin dyqanet në kohë, të hënën e kësaj jave.