Kanabisi mjekësor drejt legalizimit

Me një vendim të përbashkët të Ministrive të Drejtësisë dhe Shëndetësisë, Greqia i ka hapur rrugën importit të barnave të aprovuara dhe të produkteve të kanabisit për përdorim mjekësor.

Njoftimin e ka bërë vetë kryeministri grek Aleksis Tsipras gjatë një vizitë në Ministrinë e Shëndetësisë ku i është referuar legalizimit të kanabisit mjekësor, një iniciativë sipas tij që do të ketë rezultate pozitive si në aspektin e trajtimit mjekësor të sëmundjeve, ashtu dhe në atë të investimeve.

Sipas tij ky vendim lejon futjen ne vend te barnave farmaceutike me bazë kanabisin që përdoren për rastet që kanë provuar dobi klinike për një shumëllojshmëri të sëmundjeve të tilla si dhimbje kronike, dhimbje neuropatike, çrregullime të aparatit tretës për shkak të kimioterapisë, anoreksise , etj.

Zbatimi i këtij vendimi kërkon një numër procedurash të tjera administrative, të cilat do të ndihmojnë që pacientet të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe pa humbur kohë tek këto lloj barnash.

Në Greqi për vite me radhë mijëra pacientë që nuk mund të siguronin në mënyrë të ligjshme barnat me bazë kanabisin mjekësor, përpiqeshin t’i gjenin ato në mënyrë ilegale.