Kamerun, shoferët paralajmërohen me anë të tabelave për numrin e vdekjeve në aksidente

Në Kamerun, në vendet ku kanë ndodhur aksidentet e trafikut vendosen tabela me numrin e të vdekurve, duke paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat.

Në tabelat që mund të hasen shpeshherë në rrugën që lidh kryeqytetin Yaounde dhe kryeqytetin tregtar Douala, vërehen shënime si “Këtu kanë vdekur 50 persona” ose “Në këtë pikë humbën jetën 45 persona”.

Tabelat vendosen në rrugë gjarpëruese, ura të ngushta dhe zona të rrezikshme ku nuk ka semafor, duke paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat.

Në vendin ku numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është mjaft i lartë, këto tabela qytetarët i quajnë “tabela vdekjeje”.

Në mesin e shkaqeve kryesore të aksidenteve në vend janë shpejtësia e tepërt, infrastruktura, tabelat joadekuate, si dhe mos respektimi i rregullave të trafikut nga drejtuesit e mjeteve.

– “Kur i shoh këto tabela e mendoj familjen time”

Duke folur për Anadolu, taksisti kamerunian Idriss Mfochive tha: “Kur i shoh këto tabela e mendoj familjen time dhe mundohem që të vozis me më shumë vëmendje”.

Duke theksuar se disa shoferë përsëri vendosin që të vozisin me shpejtësi dhe nuk u kushtojnë vëmendje tabelave paralajmëruese, Mfochive tha se çdo vit humbin jetën mijëra persona në aksidentet rrugore.

Nvondo Aissi, nga ana tjetër, theksoi se tabelat janë shumë të dobishme.

“Shteti po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve që të jenë të kujdesshëm duke përdorur ‘tabelat e vdekjes’. Kjo u kujton drejtuesve të mjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat”, tha Aissi.

Sipas tij, ngasësit e makinave e ulin shpejtësinë kur i shohin tabelat.

“Aksidenti në fjalë në tabelën që qëndron pas meje ndodhi para 10 viteve. Derisa një kamion po lëvizte këtu, pavarësisht dritave të dëmtuara, u përplas me një minibus me rreth 30 pasagjerë që vinin nga drejtimi i kundërt dhe në aksident humbën jetën 18 persona”, theksoi Aissi.

“Kjo tabelë përmend vetëm një aksident, por këtu ka pasur shumë aksidente, shumë aksidente kanë ndodhur për shkak të kësaj kthese që shihni”, shtoi ai.