Kamberi i kërkon kongresistit Engel që çështja e Luginës të përfshihet në dialog

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Beograd për një vizitë zyrtare.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, që është edhe kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi.

Gjatë vizitës së tij, Engel është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Kamberi, ka treguar për lajmi.net, se gjatë këtij takimi me kongresistin Engel, kanë biseduar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi ka treguar se në këtë takim i ka kërkuar kongresistit Engel që çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

“Po jemi takuar me konkretin Engel edhe kemi biseduar lidhur me pozitën e shqiptarëve dhe ai shprehu interesimin e tij se si është gjendja e shqiptarëve. Edhe kërkesa jonë ka qenë që edhe ai të angazhohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Tash diçka më konkrete nuk kemi dhe mbetet të shihet çfarë do të ndodhë”, ka treguar Kamberi për lajmi.net.

Duhet theksuar se kongresisti amerikan, Eliot Engel, është takuar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kanë biseduar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Ndërkaq gjatë një bisede me deputetët serbë, ka thënë se SHBA-ja dëshiron që dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës ta bëjë sa më të lehtë për të dyja palët.