Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kaluan 1.000 ditë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë

Kaluan 1.000 ditë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë

Përderisa lufta Rusi-Ukrainë ka mbushur ditën e 1.000-të të saj, pretendimet se armët me rreze të gjata me të cilat SHBA-ja e furnizoi Ukrainën do të lejojë t’i përdorë në tokat e Rusisë po bëjnë pjesë gjithnjë e më shumë rendin e ditës, parashikohet se një skenar i tillë do të çojë konfliktin në një dimension të ri, raporton Anadolu.

Më 24 shkurt 2022 presidenti rus Vladimir Putin pati njoftuar se Rusia ka filluar “operacionin special ushtarak në Ukrainë”, që prej atëherë kanë kaluar 1.000 ditë.

Sipas Putinit, “operacioni special ushtarak” filloi pasi të ashtuquajturat administrata separatiste kërkuan ndihmë ushtarake nga Rusia, ndërkaq arsyeja e operacionit ishte “për të pastruar Ukrainën nga nazizmi dhe militarizmi, si dhe për të sjellë para drejtësisë ata që kanë kryer krime të shumta të përgjakshme kundër civilëve, përfshirë qytetarët e Rusisë”.

Ushtria ruse përdor shpesh raketa me rreze të gjatë dhe precizitet të lartë kundër objektivave strategjike në Ukrainë, ndërsa SHBA-ja dhe vendet evropiane e shtuan mbështetjen e tyre të armëve për Ukrainën.

– Aneksimi jashtëligjor i Donetskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit nga ana e Rusisë

Të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë u mbajtën në shtator 2022 në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Shumica e atyre që morën pjesë në referendum i thanë “po” vendimit të aneksimit. Kështu, Rusia aneksoi ilegalisht edhe 15 për qind të territorit ukrainas pas Krimesë.

Ukraina nga ana tjetër filloi kundërsulm më 29 gusht 2022 për të çliruar Khersonin.

Rusia, e cila evakuoi shumicën e qytetarëve të Khersonit, të cilin e aneksoi ilegalisht, në rajone të tjera, njoftoi në nëntor të të njëjtit vit se linja e mbrojtjes në qytetin e Khersonit do të tërhiqej në bregun e majtë të lumit Dnipro. Kështu, ushtarët rusë u tërhoqën nga qendra e qytetit Kherson.

Sipas të dhënave të OKB-së, 7.832.493 persona nga Ukraina kaluan në vendet evropiane ndërsa numri i personave të zhvendosur brenda vendit arriti në 11 milionë, ku të paktën 6.755 civilë humbën jetën dhe 10.607 civilë u plagosën.

– Negociatat për armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainë

Përderisa lufta vazhdonte, midis delegacioneve rusë dhe ukrainase u zhvilluan 4 negociata ballë për ballë, 3 në Bjellorusi ndërsa një në Türkiye.

Në Bjellorusi, të dyja palët ranë dakord vetëm për korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga zonat e konfliktit.

Ndërsa si rezultat i negociatave të zhvilluara në Istanbul më 29 mars 2022, si rezultat i iniciativave të ndërmjetësimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, pala ukrainase i dorëzoi palës ruse parimet e një marrëveshjeje të mundshme të ardhshme me shkrim dhe palët ishin shumë afër marrëveshjes.

Por, pas pretendimeve në Bucha, bisedimet u ndërprenë. Pala ukrainase theksoi se situata në vend më 17 maj ka ndryshuar shumë dhe se kanë pezulluar negociatat me Rusinë.

– Nënshkrimi i Marrëveshjes së Korridorit të Drithit

Nga ana tjetër, Marrëveshja e Korridorit të Drithit, që do ta parandalonte krizën ushqimore, u nënshkrua në korrik të vitit 2022 midis Türkiyes, Rusisë, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Marrëveshja, e cila u zgjat disa herë në të njëjtin vit, u zgjat për herë të fundit më 17 maj 2023. Marrëveshja u pezullua më 17 korrik 2023, me tërheqjen e njëanshme të Rusisë.

Përderisa Ukraina njoftoi se filloi të përdorte rrugë alternative për dërgesat e grurit përmes Detit të Zi, Rusia intensifikoi sulmet ndaj porteve dhe infrastrukturës së përdorur në eksportet e grurit të Ukrainës.

– Kundërsulmi i Kievit në vitin 2023 dhe sulmet me dronë në territorin rus

Derisa konflikti në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhia u intensifikua në vitin 2023, Ukraina nisi kundërofensivë në këto dy rajone në qershor të të njëjtit vit.

Ushtria ukrainase njoftoi se çliroi disa fshatra në rajonin e Donetskut gjatë sulmit që zgjati rreth 6 muaj. Autoritetet ukrainase njoftuan se afërsisht 74 për qind e territorit të vendit është çliruar dhe 26 për qind është ende nën kontrollin rus.

Ndërkaq, vitin e kaluar, tentativa për sulm me mjete ajrore pa pilot (UAV) filluan të bëhen drejtuar territorit rus, veçanërisht në kryeqytetin Moskë.

Përderisa Rusia e konsideron Ukrainën përgjegjëse për këto sulme, inteligjenca ukrainase mori përgjegjësinë për sulmet me dronë në disa infrastruktura si objektet e depozitimit të naftës dhe bazat ajrore ushtarake në Rusi.

– Mbahet Samiti i parë i Paqes

Nën hijen e konfliktit të dhunshëm, në qershor u mbajt Samiti i parë i Paqes për Ukrainën, në organizim të Zvicrës.

Në deklaratën përfundimtare të samitit, ku morën pjesë delegacione nga 90 vende dhe organizata, por jo nga Rusia dhe Kina, u theksua se integriteti territorial i Ukrainës duhet të jetë baza e çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në deklaratën e tij në kuadër të samitit, tha se janë të gatshëm të nisin negociatat menjëherë kur Rusia të tërhiqet nga territori ukrainas.

– Procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE

Një nga shkaqet se pse Putini e filloi luftën ishte dëshira e Ukrainës për t’u afruar me BE-në dhe NATO-n. Pavarësisht luftës Ukraina nuk hoqi dorë nga anëtarësimi në BE, ndërkaq vitin e kaluar avancoi në këtë drejtim.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së vendosën të fillojnë negociatat për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë në dhjetor 2023.

– Dorëzimi i avionëve të parë F-16 dhe leja e SHBA-së për përdorimin e raketave në territorin rus

Që nga fillimi i luftës vendet perëndimore kanë vazhduar mbështetjen e tyre me armë ndaj Ukrainës, ndërsa njoftuan edhe dorëzimin e avionëve të parë F-16.

Zelenskyy, në postimin në llogarinë e tij në mediat sociale më 4 gusht, tha: “F-16 janë në Ukrainë”.

Tutje, gjatë luftës Ukraina pretendoi se Rusia solli trupa nga Koreja e Veriut për të luftuar në territorin e saj.

Pas këtij zhvillimi SHBA-ja vendosi të lejojë përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin rus.

Kremlini, nga ana tjetër, e përshkroi vendimin e SHBA-së për të lejuar Ukrainën të sulmojë territorin rus me armë me rreze të gjatë veprimi si “një fazë të re të tensioneve”.

Kështu, në ditën e 1.000-të të luftës Rusi-Ukrainë, parashikohet që pretendimet se SHBA-ja do të lejojë përdorimin e armëve me rreze të gjatë nga Ukraina në territorin rus, do të çojë konfliktin në një dimension të ri.

Exit mobile version