Kallas: Nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim, çdo përpjekje për të shpërbërë BeH-në është e papranueshme

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se nuk do të tolerojnë asnjë kërcënim për integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), duke theksuar se çdo përpjekje për të shpërbërë vendin është e papranueshme, raporton Anadolu.

Gjatë një vizite në bazën Butmir në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e EUFOR-it të vendosur në BeH, Kallas vlerësoi se situata e sigurisë në BeH është stabile, por e brishtë për shkak të kërcënimeve ndaj rendit kushtetuese që vijnë nga entiteti Republika Srpska i BeH-së.

“Lidershipi i Republikës Srpska po minon rendin kushtetues dhe ligjor, duke kërcënuar lirinë themelore të të gjithë qytetarëve. Këto veprime janë në kundërshtim me detyrimet që BeH-ja ka ndërmarrë në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.

Ajo theksoi se nuk do të tolerohet asnjë kërcënim ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të BeH-së.

“Çdo përpjekje për të shpërbërë vendin është e papranueshme”, porositi Kallas, duke kujtuar qindra ushtarë shtesë u vendosën në muajin mars në kuadër të operacionit ‘Althea’, me qëllim për të dërguar një mesazh të qartë se BE-ja mbetet e vendosur për stabilitetin e këtij rajoni dhe sigurinë e BeH-së.

“Populli i BeH-së nuk meriton asnjë më pak se stabilitet dhe prosperitet. BE-ja gjithmonë do të mbetet partneri më i qëndrueshëm dhe i më besueshëm për këtë vend”, u shpreh ajo.

Në çdo sfidë me të cilën është përballur BeH-ja, theksoi shefja e diplomacisë së BE-së, gjithmonë ka hasur në mbështetjen e BE-së dhe NATO-s dhe për këtë qëllim, shtoi ajo, ata mbështesin edhe forcat e armatosura të këtij vendi.

“Përparimi në rrugën drejt BE-së mbetet garancia më e mirë e sigurisë dhe prosperitetit”, theksoi Kallas.

Ajo gjithashtu tha se liderët politikë në BeH duhet të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemet në vend.

Kallas, e cila qëndron për vizitë në BeH, do të vazhdojnë vizitën e saj në ndërtesën e Asamblesë Parlamentare të BeH-së, ku do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto dhe më pas do të takohet me anëtarët e Presidencës së BeH-së.

Shefja e diplomacisë së BE-së vizitën e saj do ta mbyllë me një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq.