Kalifornia do të bëhet shteti i parë amerikan që u kërkon të gjithë mësuesve dhe personelit shkollor të vaksinohen ose t’i nënshtrohen testimit javor të COVID-19. Vendimi për vaksinat e detyrueshme në sistemin shkollor për arsimtarët që punojnë që nga kopshti deri në fund të shkollës së mesme merret ndërsa nxënësit kthehen nga pushimet verore mes shqetësimeve në rritje për variantit shumë ngjitës, delta.
Guvernatori demokrat Gavin Newsom e njoftoi vendimin e ri të mërkurën, kur po vizitonte një shkollë në zonën e San Franciskos që tashmë është rihapur pas pushimeve verore. Disa seksione të mëdha arsimore në këtë shtet kanë lëshuar kërkesa të ngjashme ditët e fundit, duke përfshirë seksionet e San Franciskos, Oklandit, San Hozesë dhe komunës Long Beach.
Guvernatori i Havait, David Ige njoftoi javën e kaluar se të gjithë punonjësit e arsimit në këtë shtet do të duhej të tregonin dëshmi të vaksinimit ose të bënin teste të përjavshme. Por urdhri në Kalifoni shkon një hap më tutje pasi mbulon jo vetëm shkollat publike, por edhe ato private.
Gjatë javës së kaluar Governatori Newson ka shpallur vendimin se të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe se punonjësit e administratës shtetërore duhet të vaksinohen, ose të bëjnë teste të përjavshme. Dy sindikatat më të mëdha të arsimtarëve në Kaliforni u shprehën në mbështetje të vendimit të guvernatorit.
Anketat tregojnë se 90% e mësuesve janë vaksinuar në shkallë kombëtare, por zyrtarët në Kaliforni thonë se përhapja e variantit delta e bën të nevojshëm vendimin e sapo-njoftuar. /tch