ATSH-AFP/ – Zjarret që kanë përfshirë rajonin e Los Anxhelesit që prej fillimit të javës vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, ndërkohë që vatra të reja janë njoftuar në San Diego dhe në Santa Barbara duke shkaktuar evakuime masive.
Si pasojë e erërave të forta, zjarret, që kanë filluar të hënën në mbrëmje, kanë shkaktuar një të vdekur në fillim të javës dhe të paktën katër të plagosur.
Rreth 700 ndërtesa janë shkatërruar duke përfshirë këtu dhe dëme që arrijnë vlerën e miliona dollarëve, ndërkohë që 212 000 banorë janë evakuuar.
Me mijëra zjarrfikës janë angazhuar në betejën deri tani të humbur ndaj flakëve, që kanë shkrumbuar më shumë se 57 000 hektarë.
“Situata në jug të vendit mbetet shumë e rrezikshme, me një lagështirë nën 10 për qind dhe me temperatura shumë të larta”, theksoi agjencia për luftën kundër zjarreve “Calfire”.
Presidenti amerikan, Donald Trump publikoi dje një deklaratë urgjente për Kaliforninë duke mundësuar zhbllokimin e ndihmës federale për Los Anxhelesin dhe rajonin, në bregun perëndimor amerikan.