Kadri Veseli uron muslimanët: Ta gëzojnë Xhaminë qendrore e të luten për shtetin dhe të mirën e popullit tonë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar pas protestës së sotme kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Ai këtë reagim e ka bërë në formë përkrahje për Xhaminë e Madhe, ndërsa ka thënë se është e drejtë e çdo njërit të proteston, por pa nxitur urrejtje.

Ai madje ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e ndërtimit të Xhamisë së Madhe.

Ky është reagimi i tij:

Kombi ynë shqiptar është i veçantë, sepse në gjirin e tij ka diversitetin fetar e kulturor të tri besimeve monoteiste.

Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksizmi përbëjnë shpirtin e kombit tonë. Me krenari mund të themi se toleranca dhe bashkëjetesa e këtyre besimeve është e natyrshme te shqiptarët.

Kryeqyteti i Republikës së Kosovës e shpërfaq këtë bashkëjetesë. Prishtina ka Katedralen e saj të bukur e shumë shpejt edhe Xhaminë qendrore, ku besimtarët myslimanë do t’i ndjekin ritet e tyre.

Në demokraci, protesta është instrument i garantuar për të shprehur mendimin në mënyrë paqësore dhe si e tillë duhet të mbetet, pa cenuar ose nxitur urrejtje.

Unë personalisht kam qenë përkrahës i madh që çdo komunitet fetar ta ketë qendrën e tyre të besimit në kryeqytet. Është praktikë e vendeve demokratike dhe mbi të gjitha vlerë e popullit tonë.

Ta gëzojnë Xhaminë qendrore myslimanët e Kosovës e të luten për shtetin dhe të mirën e popullit tonë.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!