Trupa të foshnjave e gjymtyrë të të rriturve po nxirren nga rrënojat në Gazë, në ditët e para të qetësisë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. “Në çdo rrugë ka të vdekur. Në çdo lagje ka njerëz nën rrënoja”, ka thënë Abdullah Al-Majdalawi, punëtor 24-vjeçar i Mbrojtjes Civile që po punonte në qytetin e Gazës. “Edhe pas armëpushimit, kemi marrë thirrje të shumta nga njerëzit që na lusnin të shkojmë, me thirrjet se familjet i kanë nën rrënoja”.
Në ditën e parë me paqe të plotë në Gazë, ekipet e shpëtimit dhe civilët nisën të shoshin nga afër shkallën e shkatërrimit në Rrip.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës – agjenci kryesore e reagimit emergjent në këtë zonë – ka thënë se druan se janë më shumë se 10 mijë trupa që gjenden ende nën rrënoja.
Zëdhënësi Mahmoud Bassal ka thënë për BBC-në se kanë shpresuar se do të mbërrinin t’i nxjerrin trupat për 100 ditë, por sipas tij, kjo do të shtyhet në mungesë të buldozerëve dhe pajisjeve të tjera kyçe.
Pamjet e reja nga Gaza pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të dielën kanë treguar skena të shkatërrimit total të ofensivës 15-muajshe të Izraelit, sidomos në veri të enklavës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara në të kaluarën pati parashikuar se 60 për qind e strukturave në Gazë ishin dëmtuar ose shkatërruar.
Edhe pse zhurma e bombardimeve u zëvendësua me festimet pas nisjes së armëpushimit të dielën, realiteti me të cilin po përballet populli i Gazës mbetet i rëndë.
Sipas Programit të Ushqimit të OKB-së (WFP), lufta ka lënë më shumë se dy milionë banorë të Gazës pa shtëpi, pa të hyra dhe tërësisht të varur në ndihmat e ushqimit për mbijetesë.
Ndihmat nisën të hynin në Gazë menjëherë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të dielën dhe OKB-ja ka thënë se të paktën 630 kamionë kanë hyrë në Rripin e Gazës deri në fund të ditës.
Të hënën, në enklavë hynë edhe 915 kamionë, që sipas OKB-së, është numri më i madh i kamionëve të futur që nga nisja e luftës 15 muaj më parë.
Sam Rose, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në Gazë (UNRWA), ka thënë se ndihmat janë vetëm nisja e përpjekjeve për kthimin në jetë të Rripit të Gazës.
“Nuk po flasim vetëm për ushqim, kujdes shëndetësor, ndërtesa, rrugë, infrastrukturë. Kemi njerëz, individë, familje, e komunitete që duhet të rimëkëmben”, ka thënë ai. “Trauma nëpër të cilën kanë kaluar, vuajtjet, humbjet, mërzitë, poshtërimet, mizoritë që kanë përjetuar në 16 muajt e fundit – kjo do të jetë rrugë shumë, shumë e gjatë”.
Në Izrael, familjet e tre pengjeve që u liruan në këmbimin e parë, folën në një konferencë për media të hënën në Tel-Aviv. Mandy Damari, nëna e Emily Damarit, ka thënë se vajza e saj është “rrugës për këndellje”, pavarësisht se i ka humbur dy gishta në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Mesirav Leshev Gonen, nëna e Romi Gonenit, ka thënë se “të gjitha familjet e meritojnë që t’u lirohen më të dashurit e tyre, gjallë apo vdekur”. “Ne e kemi mendjen tani te familjet e tjera”, ka thënë Gonen.
Para konferencës për media, autoritetet izraelite publikuan pamje që shfaqnin Damarin 28-vjeçare, Gonenin 24-vjeçare dhe Doron Streinbrecherin 31-vjeçare, duke u përshëndetur me nënat e tyre pak momente pasi u liruan nga Gaza të dielën.
Në fazën e parë të armëpushimit, 30 pengje do të lirohen nga Gaza në 40 ditë, në këmbim të 1800 palestinezëve që do të lirohen nga burgjet izraelite.
Autoritetet palestineze të shëndetësisë kanë thënë se janë gati rreth 47 mijë të vrarë në Gazë gjatë 15 muajve të luftës dhe më shumë se 110 mijë të plagosur.
Ministria nuk ka bërë kurrë ndarje mes civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit, por ka thënë se shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë – pretendim që mbështetet nga OKB-ja.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës ka njoftuar të hënën se 48 për qind e personelit të saj është vrarë, lënduar apo arrestuar gjatë luftës dhe se 85 për qind e veturave si dhe 17 nga 21 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar.
Edhe pse rreziku nga sulmet ajrore nuk është i pranishëm – të paktën për tani – puna e rëndë e punonjësve të Mbrojtjes Civile vazhdon. Fotografitë që ata i kanë ndarë me BBC-në kanë treguar punën e rëndë nëpër rrënoja, përfshirë edhe nxjerrjen e trupave të foshnjave apo edhe gjymtyrëve të të rriturve.
“Në çdo rrugë ka të vdekur. Në çdo lagje ka njerëz nën rrënoja”, ka thënë Abdullah Al-Majdalawi, punëtor 24-vjeçar i Mbrojtjes Civile që po punonte në qytetin e Gazës. “Edhe pas armëpushimit, kemi marrë thirrje të shumta nga njerëzit që na lusnin të shkonim me thirrjet se familjet i kanë nën rrënoja”.
Malaak Kasab, 23-vjeçare e zhvendosur nga qyteti i Gazës, ka thënë se familjarët e saj janë në mesin e atyre që ende s’janë gjetur.
“Kemi humbur shumë anëtarë të familjes dhe ka disa prej tyre që janë ende nën ndërtesat e shkatërruara”, ka thënë ajo. “Ka shumë njerëz nën rrënoja – të gjithë e dinë këtë”.
Banesa e familjes së Kasabit është dëmtuar rëndë. “Nuk ka dyer, s’ka dritare, s’ka ujë, s’ka rrymë, asgjë. As dru për të ndezur zjarrin. Është e pajetueshme”.
Lëvizjet janë ende të rrezikshme për popullin e zhvendosur teksa ushtria e Izraelit vazhdon me tërheqjen nga zonat e banuara në Rrip.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos i afrohen personelit të saj apo pajisjeve, të mos hyjnë në një zonë neutrale rreth kufijve të Gazës apo edhe korridorit Netzarim, që e ndan veriun e Gazës me jugun.
Por shumë banorë janë të vendosur të shohin sa më shpejt se çka u ka ndodhur pronave të tyre. Hatem Eliwah, një 42-vjeçar që punon në një fabrikë në qytetin e Gazës, ka thënë se po mendon të kalojë në këmbë nga qendra e strehimit në Khan Younis në drejtim të jugut.
“E kemi pritur këtë armëpushim sikur njerëzit që presin të shkojnë në parajsë. I kam humbur dy vëllezërit dhe familjet e tyre. Kam humbur kushërinj. E vetmja gjë për të cilën mbaj shpresë është që të shkoj në shtëpi”, ka thënë ai.
Ka shqetësime të mëdha në të dyja krahët se marrëveshja mund të dështojë edhe para se të kompletohet faza e parë e paraparë të zgjasë 6 javë. Izraeli ka thënë se e ruan të drejtën që të vazhdojë ndërhyrjen ushtarake në Gazë në çdo kohë.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres, e ka mirëpritur marrëveshjen duke e quajtur rreze shprese. Por Guterres ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës në Bregun Perëndimor, që ka përjetuar së fundmi rritje të sulmeve izraelite ndaj fshatrave palestineze, qëkur ndodhi sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.
“Zyrtarë të lartë të Izraelit kanë folur haptas për aneksimin zyrtar të të gjithë ose disa pjesëve të Bregut Perëndimor në muajt në vijim”, ka thënë Guterres. “Çfarëdo aneksimi do të paraqiste shkelje serioze të të drejtës ndërkombëtare”. /koha