Juristja e njohur irlandeze ua kushton çmimin e saj grave palestineze

Juristja irlandeze Blinne Ni Ghralaigh, e cila ishte anëtare e ekipit ligjor të Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ua ka kushtuar çmimin e saj Tatler “Gruaja e Vitit” grave palestineze, transmeton Anadolu.

“Dëshiroj t’ua kushtoj këtë çmim grave të mrekullueshme të Gazës. Për dhjetëra mijëra që janë vrarë. Shumë të tjera janë plagosur. Ato që kanë pësuar lëndime të patreguara dhe ato që ende po durojnë kundër të gjitha gjasave. Për të zhvendosurat, të uriturat, të vdekurat, të vejat dhe të gjymtuarat”, tha Ghralaigh të dielën në fjalimin e saj të pranimit në një video të postuar në X.

Afrika e Jugut ngriti një çështje kundër Izraelit në GJND me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për mosrespektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Disa vende, duke përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë, i janë bashkuar çështjes që filloi seancat dëgjimore në janar.

Gjykata e lartë e OKB-së në maj urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh nxorri urdhra paraprakë për të frenuar numrin e të vdekurve dhe për të lehtësuar vuajtjet humanitare në enklavën e bllokuar, ku numri i viktimave ka kaluar në mbi 44.200.

– “Gratë e Palestinës do ta ndërtojnë përsëri Gazën”

Ghralaigh njohu qëndrueshmërinë e grave palestineze që përjetojnë shumë dhimbje, por vazhdojnë t’i shërbejnë komunitetit të tyre.

“Gratë e Palestinës do ta ndërtojnë Gazën përsëri nga rrënojat dhe nga shkatërrimi siç kanë bërë më parë, siç kanë bërë gratë irlandeze më parë, siç bëjnë gratë në mbarë botën”, theksoi ajo.

Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e shkencëtareve dhe gazetareve palestineze që ende po transmetojnë gjenocidin e vazhdueshëm kundër palestinezëve.

“Shpresoj për një të ardhme më të mirë për ta dhe për të gjithë ne. Le të jetë më në fund e ardhmja e udhëhequr nga gratë. Le të udhëhiqet nga gra brilante, të patrembura, inteligjente dhe të dhembshura si nënat dhe gjyshet tona para nesh”, shtoi ajo.