Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, i cili është në vizitë në Republikën e Maqedonisë, u takua me Kryeministrin Zoran Zaev. Pas konferencës së përbashkët për media Juncker theksoi se nuk ka ardhur për të njoftuar një datë për negociata, por të tregojë se Maqedonia është në një rrugë të mirë, në të cilën duhet të vazhdojë më tej në mënyrë që të mund të marrë rekomandim të nevojshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne nuk erdhëm për të shpallur një datë për bisedime, por për të njoftuar se jeni në rrugën e duhur dhe vazhdoni në atë rrugë të reformave, për disa muaj do t’i mundësoni Komisionit Evropian në Këshill të rekomandojë fillim të negociatave për inkuadrim”, tha Juncker.
Presidenti i Komisionit Evropian vuri në dukje se Maqedonia është pjesë gjeografike e Unionit dhe pjesë e historisë evropiane. Sipas tij, Republika e Maqedonisë e kuptoi se BE-ja nuk është vetëm një bashkësi e interesave ekonomike, por një bashkësi e vlerave të barabarta.
“Vendi juaj ka bërë përparim që do ti mundësojë asaj edhe më shumë të afrohet me BE-në. Ju zbatuat reforma të cilat e befasuan botën. Me Bullgarinë ju arritët të përfundoni një marrëveshje miqësore që rriti reputacionin e vendit tuaj”, tha Juncker.
Në fjalën e tij, ai gjithashtu iu referua edhe kontestit të emrit midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë dhe tha se kjo është çështja që mbetet për t’u zgjidhur nga Maqedonia dhe Greqia.
“Sa i përket emrit të vendit, nuk do të doja të thoja asgjë, sepse ju takon juve ta zgjidhni problemin me miqtë tuaj grekë. Unë të premten e kaluar gjatë Këshillit Evropian në Bruksel, bisedova me kryeministrin Tsipras dhe i thashë atij të qëndrojë në rrugë që ka nisur”, tha Juncker. Ai vuri në dukje se sapo mbërriti në aeroport në Maqedoni, siç tha, ka vënë re se diçka ka ndryshuar në krahasim me gjendjen e përgjithshme dhe gjendjen e mëparshme.
Ai shtoi se Maqedonia ende duhet të punojë në zbatimin e reformave dhe duhet të mbetet e angazhuar në këtë drejtim.
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, theksoi se me Strategjinë, Komisioni Evropian konfirmon të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë si një pjesë gjeografike e Evropës që do të bëhet pjesë e strukturës politike të Bashkimit Evropian. Sipas tij, në vendin e duhur është përcaktimi i Unionit se duhet të jetë më e fortë para se të bëhet më e madhe ndërsa Republika e Maqedonisë është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.
“Nga ana jonë, ne afirmojmë dëshirën dhe përkushtimin e fortë për reforma të thella të brendshme pa vonesë me lidership dhe vendosmërinë për të qenë një pjesë kyçe e rrugës drejt anëtarësimit tonë në BE. Aderimi i Republikës së Maqedonisë në BE drejtpërsëdrejti ndikon në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne dhe të gjithë qytetarët e kuptojmë se sa më të suksesshëm të jemi në realizimin e planit të brendshëm të reformave, sa më shpejtë që të bashkohemi me BE-në aq më shpejtë do të përmirësohet jeta e përditshme e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.
Ai shtoi se Maqedoninë e presin edhe disa aktivitete të tjera të rëndësishme që 2018, siç tha ai, të jetë një vit historik për Maqedoninë, duke shprehur shpresën se Raporti i Komisionit Evropian do të shënojë progresin e bërë nga Qeveria në axhendën e reformës së brendshme.
Zaev për kontestin rreth emrit: Për Qeverinë e Maqedonisë i pranueshëm, emër me përcaktim gjeografik
Kryeministri Zaev tha se mbyllja e çështjeve të hapura që kanë qenë një kohë të gjatë nuk është një lëvizje e thjeshtë, bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetarët e Maqedonisë. Ai porositi se ekziston një inkurajim nga Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë dhe se Maqedonia vazhdon me një angazhim serioz për tejkalimin e çështjes kryesore – zgjidhjen e kontestit të emrit.
“Së bashku me kryeministrin Tsipras, punojmë për të mbyllur këtë problem të gjatë dhe të dhimbshëm, zgjidhja e të cilit do të hapë rrugën për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO ndërsa kjo për qytetarët tanë do të thotë të sigurohen investime të reja, vende të reja pune, paga më të larta dhe një jetë më të mirë për qytetarët”, tha Zaev.
“Lidhur me këtë problem, për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik që do të bëjë dallim midis shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë në një zgjidhje që do të lejojë mbylljen e përhershme dhe të qëndrueshme të kontestit duke respektuar dinjitetin dhe identitetin e të dy kombeve dhe të dy vendeve. Është detyra jonë të marrim përgjegjësinë për këtë mundësi historike për të zgjidhur këtë çështje të hapur midis dy vendeve”, theksoi Zaev.
Gjithashtu, Zaev shprehu besimin se Samiti i ardhshëm i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të krijojë një axhendë inovative sipas shembullit të Samitit të Selanikut i cili do të trasojë qartë rrugën e para-pranimit në BE bazuar në propozimet e strategjisë.
Kryeministri Zaev tha se është i bindur se në qershor të vitit 2018 Këshilli do të vendos për fillimin e negociatave për fillimin e bisedimeve inkuadruese me Bashkimin Evropian.