Ballina Uncategorized Juncker: BE ende ka dorën e shtrirë për Turqinë

Juncker: BE ende ka dorën e shtrirë për Turqinë

“Posaçërisht në ditë të vështira, ne ishim dhe jemi në anën e Turqisë”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, ka thënë se edhe një vit pas tentativës për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO, dora e Evropës ende është e shtrirë për Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një artikull për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”, Juncker ka theksuar se pamjet që tregojnë sulmin ndaj Parlamentit të Turqisë dhe plagosjen e civilëve gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi kanë lënë gjurmë tek ai.

Juncker ka rikujtuar se ende pa u ditur epilogu i tentativës për grusht shteti, teksa ndodhej në kryeqytetin e Mongolisë Ulanbator, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini kishin dënuar sulmin ndaj institucioneve demokratike në Turqi.

“Posaçërisht në ditë të vështira, ne ishim dhe jemi në anën e Turqisë”, ka thënë Juncker.

Ai shtoi se është në favor të asaj që Turqia të ketë demokraci stabile dhe ekonomi të suksesshme.

“Një vit pas tentativës për grusht shteti, dora e Evropës është e shtrirë për Turqinë”, është shprehur Juncker, duke shtuar se “Evropa e ka shpalosur një pikëpamje të këtillë dhe se pret që edhe Turqia të shfaq pikëpamje drejt Evropës dhe të përshtatet me vlerat e Evropës”.

Ai ka thënë se kërkon që Turqia të mos largohet nga Evropa, por të afrohet.

Duke theksuar se të gjithë ata që kanë aspirata të integrohen në BE përshtaten me vlerat e Unionit, Juncker ka paralajmëruar se “BE-ja do t’ia mbyll dyert Turqisë në qoftë se qeveria turke miraton dënimin me vdekje”.

Juncker ka thënë se me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan vazhdon të këmbejnë mendime rreth kësaj çështjeje dhe çështjeve të tjera. “Ne kemi rënë dakord që hap pas hapi ta thellojmë pajtimin tonë në fusha si energjia dhe siguria, si dhe lufta kundër terrorit”, ka shtuar Juncker.

Ai ka potencuar se së bashku mund të arrijnë më shumë gjëra, duke thënë se tregues i kësaj është marrëveshja për refugjatët e firmosur mes BE-së dhe Turqisë.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se numri i refugjatëve që kanë hyrë në Greqi nga Turqia është zvogëluar për 97 për qind pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe se mbi 7.600 refugjatë sirianë janë dërguar në Evropë në mënyrë të rregullt pas prillit të vitit 2016. Po ashtu, ai ka theksuar se refugjatët në Turqi janë mbështetur me 1.6 miliardë euro deri më tani.

Presidenti i KE-së, Juncker është shprehur se janë duke vendosur rreth punimeve që mund të bëhen në 12 muajt e ardhshëm për një udhërrëfyes pragmatik, duke shprehur bindjen se hapat e vegjël do të kenë efekt të madh./Mesazhi/

Exit mobile version