Përvjetori i 25-të i çlirimit të Kosovës, pa dyshim ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan mesin e Qershorit, dhe që u shënuan me një varg aktivitetesh dhe ceremonishë, si në nivel qeveritar, ashtu edhe në nivele të tjera. Në mesin e ngjarjeve të rëndësishme për këtë jubile të 25-të të çlirimit të Kosovës, ishte edhe ardhja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kosovë, i cili mori pjesë në një konferencë kushtuar personalitetit dhe veprimtarisë së ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova e që u titullua: “Ibrahim Rugova dhe Perëndimi”. Kjo ra në sy në veçanti, pasi më parë nuk kishte qenë traditë për kryeministrin e Shqipërisë që ta lavdëroj kaq shumë figurën dhe veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, sa që arriti deri atje që të thotë se sikur mos të kishte qenë Ibrahim Rugova, nuk do të ishte edhe UÇK-ja. Bile, në fjalimin e tij të parë në parlamentin e Kosovës si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama e kishte neglizhuar krejtësisht Ibrahim Rugovën, gjë që kishte shkaktuar pezmin e deputetëve të LDK-së, të cilët në shenjë revolte e kishin lëshuar seancën e parlamentit. Po ashtu, as që kishte qenë traditë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që ta thirr në eventet e saj apo të mbajë raporte të afërta me Edi Ramën dhe politikanët e spektrit të majtë. Për atë, nuk don shumë analizë për të kuptuar se prezenca e Ramës në konferencën kushtuar Ibrahim Rugovës dhe Perëndimit, në fakt, e thumbon atë që profilizohet si figurë politike i cili, jo vetëm që e largoi Kosovën nga Perëndimi dhe e përplasi me ndërkombëtarët, por edhe e vuri për herë të parë pas çlirimit nga pushtimi serb, nën masa, apo me fjalë të tjera nën sanksione nga Perëndimi, gjegjësisht kryeministrin e Kosovës. Është më se e qartë se mesazhet e koduara të Ramës nga konferenca ndërkombëtare “Ibrahim Rugova dhe Perëndimi” ishin të drejtuara në adresë të kryeministrit të Kosovës, në terrenin e vet. Duke e lavdëruar Rugovën, ai e goditi Kurtin.
Edi Rama erdhi n Kosovë për përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ngjarje kjo e cila i bëri bashkë disa shtete për ta ndaluar terrorin e pushtetit të Millosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës duke e bombarduar Serbinë, ngjarje dhe ditë me simbolikë të fortë, por ja që nuk arriti ta bëjë bashkë kryeministrin e Kosovës me kryeministrin e Shqipërisë. Thënë shkurt, çlirimi i Kosovës nga dhuna dhe terrori shtetëror serb e bëri bashkë botën, por shënimi i kësaj dite në përvjetorin e 25-të të saj, nuk arriti t’i bëjë bashkë dy kryeministrat shqiptarë: Rama dhe Kurti. Këta dy kryeministra, edhe një çerek shekulli pas çlirimit të Kosovës nuk arritën t’i lënë anash mospajtimet dhe të dalin së bashku në këtë ditë të shënuar për Kosovën që të përçojnë mesazh të fortë uniteti për shqiptarët gjithandej në botë, por e betonuan mospajtimin e tyre duke i dërguar njëri-tjetrit mesazhe ndasishë që vazhdojnë të thellohen mes tyre. Bile, edhe përtej kësaj, agjenda e kryeministrit Rama në vizitën e tij në Kosovë, më tepër të krijon përshtypjen se Kosova dhe përvjetori i 25-të i çlirimit, u përcaktuan mejdan ku do t’i matin forcat e ndikimit dhe do të tregojnë se kush është më i madhi i shqiptarëve. Rama nuk pranoi të jetë thjeshtë si i ftuar, por me mesazhet e dërguara në adresë të Kurtit dhe me takimet që i realizoi me palë të ndryshme, u imponua si protagonist që e udhëheq agjendën. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës vazhdoi me agjendën e tij ku nuk kishte pasur vend për takim me Ramën, dhe e nxorri zëdhënësin e tij të prononcohet për mediumet në mënyrë ironike se kryeministri Rama ndoshta ka shkuar të takohet me ata që ka nevojë t’i forcojë marrëdhëniet.
Lind pyetja se a thua kemi të bëjmë me arsye parimore për ndarje, apo me grindje, protagonizëm dhe kapriço personale, të cilat do të përfundonin në vlerësime se kemi të bëjmë me inate infantile të dy protagonistëve të skenës politike shqiptare në Ballkan, e jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë? Të gjitha këto dukuri e thellojnë edhe më tepër ndasinë e cila u shënua nga afrimi me Vuçiqin, “Ballkani i hapur”, anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, propozim statuti për asociacionin, deklaratat se politika e Kurtit e shndërron Kosovën në tokë të askujt, etj.
Sado që të jenë të mëdha dallimet ndërmjet tyre për agjenda kombëtare, dhe sado të kenë qasje të ndryshme për çështje që kanë të bëjnë me kauzën kombëtare shqiptare dhe marrëdhëniet ndëkombëtare, dalja të ndarë para popullit edhe në këtë ditë kur bota u bë bashkë për Kosovën, nuk përçon një mesazh të mirë dhe frymëzues për shqiptarët, nuk jep shembull të mirë, nuk i ndihmon afrimit dhe unitetit, pasi u dërgua mesazh se dy kryeministrat shqiptarë nuk mund të bëhen bashkë dhe nuk i lëshojnë rrugë njëri-tjetrit as në këtë ditë madhështore për të gjithë shqiptarët.
Me keqardhje, përvjetori i 25-të i çlirimit të Kosovës nuk i bëri bashkë dy kryeministrat shqiptarë, nuk i mbylli hendeqet dhe çarjet ndërmjet tyre, si dhe nuk u arrit të përçohet mesazh i pajtimit dhe unitetit. Thënë shkurt, nga kjo ditë e madhe e jubileut të 25-të të çlirimit të Kosovës, u dha një mesazh i zymtë nga krerët e dy shteteve të shqiptarëve në Ballkan, Edi Rama dhe Albin Kurti.
Dr. Bashkim Aliu