Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Jordania zotohet të sigurojë mbështetjen e nevojshme për Sirinë

Jordania zotohet të sigurojë mbështetjen e nevojshme për Sirinë

Jaafar Hassan

Jordania do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Sirinë, tha sot kryeministri jordanez Jaafar Hassan, transmeton Anadolu.

“Jordania do të qëndrojë pranë popullit sirian për t’i ndihmuar ata të arrijnë aspiratat e tyre për një jetë të sigurt dhe dinjitoze, duke i mundësuar që të sigurojnë paqe, stabilitet dhe unitet në të gjitha territoret e tyre”, tha Hassan gjatë një sesioni të kabinetit në Aman.

“Siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i Sirisë janë të lidhura drejtpërdrejt me sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Jordanisë”, shtoi ai.

Kryeministri jordanez tha se qeveria e tij do t’i japë përparësi ndërtimit të kapaciteteve në Siri, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë, transportit, energjisë elektrike dhe ujit.

“Ne do të ofrojmë gjithë mbështetjen e nevojshme për vëllezërit tanë sirianë, duke përfshirë trajnimin dhe zhvillimin në sektorë kyç”, tha ai.

Hassan tha se qeveria e tij ka marrë disa masa pas rënies së regjimit të Bashar Asadit në Siri, duke përfshirë marrëveshjet logjistike, hapjen e kufijve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

Kryeministri e quajti vizitën e ministrit të Jashtëm Ayman Safadi në Damask të hënën dhe bisedimet e tij me kreun e administratës e re të Sirisë Ahmed al-Sharaa “të frytshme dhe pozitive”.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë vëllezërit tanë sirianë dhe rindërtimi i Sirisë është thelbësor për Jordaninë dhe gjithë rajonin”, tha Safadi gjatë takimit të kabinetit.

Gjatë sesionit, ministri jordanez i Energjisë, Saleh Kharabsheh, theksoi aftësinë e vendit për të furnizuar Sirinë me një pjesë të nevojave të saj për energji elektrike dhe ofroi dërgimin e një ekipi teknik për të siguruar gatishmërinë e rrjetit energjetik të Sirisë. Ai propozoi gjithashtu bashkëpunim në derivatet e naftës, duke sugjeruar që Jordania mund të shërbejë si një qendër për importimin, ruajtjen dhe transportin e këtyre produkteve në Siri.

Ministri i Industrisë Yarub Qudah vuri në dukje se Jordania ka rifilluar autokolonat e ndihmave në Siri menjëherë pas ndryshimit të regjimit, duke shënuar një nga nismat e para arabe për të ofruar mbështetje humanitare.

“Brenda ditëve të tranzicionit, ne lehtësuam tregtinë përmes kalimeve kufitare të rihapura dhe lejuam që mallrat siriane të transportoheshin në tregje të ndryshme globale përmes Jordanisë”, shpjegoi Qudah.

Jordania dhe Siria lidhen me dy vendkalime kryesore tokësore: Kalimin e Vjetër Doganor (Ramtha në anën jordaneze) dhe Kalimin Nasib-Jaber.

Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të rrufeshme që zgjati më pak se dy javë.

Exit mobile version