Jordania do ta vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Jordanisë, Salameh Hammad, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e shkëlqyer që të dy shtetet kanë, si dhe për mundësitë që mund të shfrytëzohen për zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

Kryetari Veseli falënderoi ministrin Hammad për mbështetjen e pakursyer që mbretëria jordaneze ka dhënë dhe po jep për Kosovën në shumë rrafshe, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe zgjerimin e njohjeve nga vendet islamike.

Kryetari i Kuvendit theksoi përkushtimin e Kosovës për të forcuar më tej partneritetin me Jordaninë, si dy vende mike, në dobi dhe interes reciprok.

Ministri jordanez, Hammad, nga ana e tij, u shpreh i kënaqur me të arriturat e shtetit të Kosovës, ndërsa konfirmoi vazhdimin e përkrahjes nga ana e shtetit që ai përfaqëson. Duke shtruar nevojën e shkëmbimit të vizitave nga delegacione të ndryshme shtetërore të të dyja vendeve, ministri Hammad tha se ekzistojnë mundësi dhe hapësira të shumta për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e miqësisë midis dy vendeve.