Jordania njofton kthimin e 7.250 sirianëve që nga rrëzimi i Asadit

Mazin Al-Farrayeh

Ministri i Brendshëm i Jordanisë, Mazin Al-Farrayeh, tha se 7.250 sirianë janë kthyer në shtëpi që nga përmbysja e Bashar Asadit, shumica e të cilëve nuk ishin të klasifikuar si refugjatë, transmeton Anadolu.

Al-Farrayeh i tha televizionit zyrtar të Jordanisë “Al-Mamlaka” se të kthyerit kaluan nga Jordania në Siri përmes pikës kufitare Jaber-Nassib, e cila ka qenë e hapur që nga 8 dhjetori.

Jordania dhe Siria ndajnë dy pika kryesore kufitare. Vendkalimi “Al-Gomruk Al-Qadim”, i njohur si “Ramtha” në anën jordaneze, ka vite që nuk funksionon për shkak të konfliktit sirian. Kalimi “Nassib”, nga ana tjetër, korrespondon me vendkalimin “Jaber” të Jordanisë.

Al-Farrayeh shtoi se shumica e të kthyerve nuk njihen zyrtarisht si refugjatë.

Jordania, e cila ka strehuar 1,3 milion sirianë, është një nga vendet më të prekura nga konflikti në Siri.

Gati gjysma e popullsisë siriane në Jordani janë të regjistruar si refugjatë, ndërsa pjesa tjetër ka hyrë para fillimit të konfliktit në vitin 2011, përmes lidhjeve familjare, martesave ose lidhjeve të biznesit.

Bashar Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.