Jordania: Ma’sakra e Iz’raelit në Beit Lahiya është shënjestrim sistematik i pa’lestinezëve

Jordania tha se sulmi me të cilin Izraeli synoi një ndërtesë ku palestinezët u strehuan në qytetin Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës, duke vrarë 93 persona, është “shënjestrim sistematik i palestinezëve në mungesë të përgjegjësisë për krimet e kryera të luftës”, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme e Jordanisë ka reaguar përmes një deklarate me shkrim ndaj sulmit të kryer dje nga Izraeli në Beit Lahiya, ku bombardoi një ndërtesë 5-katëshe ku ishin strehuar rreth 200 palestinezë të zhvendosur.

“Kjo është shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Shënjestrimi dhe shpërfillja sistematike e jetëve të palestinezëve në hijen e mungesës së plotë të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe ndjekjes penale për krimet e luftës të kryera kundër palestinezëve”, thuhet në deklaratë.

“Mosndëshkimi i vazhdueshëm dhe mungesa e llogaridhënies efektive e inkurajuan Tel Avivin të vazhdonte shkeljet dhe të shtonte vuajtjet e popullit palestinez. Kjo politikë sistematike e ndjekur nga Izraeli u zhvillua nën hijen e heshtjes ndërkombëtare dhe ngurrimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa seriozë për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) “të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar shkeljet, krimet e luftës dhe gjenocidin e Izraelit kundër popullit palestinez”.

Në deklaratën e djeshme nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se ushtria izraelite bombardoi një ndërtesë 5-katëshe të familjes Abu Nasser në Mesru Beit Lahiya, në veri të Rripit të Gazës, ku ishin strehuar rreth 200 palestinezë të zhvendosur.

“Ushtria okupatore izraelite kreu masakër të tmerrshme duke bombarduar një ndërtesë që i përkiste familjes Abu Nasser. Të paktën 93 persona humbën jetën ndërsa 40 të tjerë u zhdukën dhe dhjetëra u plagosën”, theksohet në deklaratë.