Jordania dënon 2 ish-zyrtarë me 15 vjet burg në “Rastin e Kryengritjes”

Një gjykatë e sigurisë shtetërore jordaneze dënoi me 15 vjet burg dy ish-zyrtarë të përfshirë në një përpjekje për të destabilizuar monarkinë, në një proces gjyqësor që u bë i njohur si “Rasti i Kryengritjes”, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u njoftua në një seancë të hapur të kryesuar nga gjyqtari ushtarak Muwafaq al-Masaeed, i cili tha se të dy personat ishin të përfshirë në nxitje kundër sistemit politik jordanez dhe se kanë ekspozuar sigurinë e shoqërisë ndaj rrezikut.

Al-Masaeed përshkroi atë që ndodhi si një “ndërmarrje kriminale që shënjestroi sistemin ekzistues qeverisës” në Jordani.

Dy ish zyrtarët janë Bassem Awadallah, një shtetas amerikan dhe ish-kryetar i Oborrit Mbretëror të Jordanisë, si dhe anëtari i familjes mbretërore Sharif Hassan bin Zaid.

Më 4 prill, autoritetet jordaneze njoftuan se “hetimet paraprake” treguan përfshirjen e Princit Hamzah, vëllait të Mbretit Abdullah II , me “palët e huaja” në “përpjekjet për të destabilizuar sigurinë e vendit” dhe “mobilizimin e qytetarëve kundër shtetit”.

Akuzat u mohuan nga Hamzah dhe më 5 prill ai nënshkroi një letër që konfirmonte besnikërinë e tij ndaj mbretit.

Awadallah dhe bin Zaid së bashku me 16 të tjerë u arrestuan pas incidentit. Megjithatë, mbreti Abdullah II urdhëroi lirimin e 16 personave dhe mbajti në paraburgim vetëm Awadallah-un dhe bin Zaid-in.

Në fund të qershorit, New York Times publikoi një raport në të cilin tha se Arabia Saudite i bëri presion Jordanisë për të liruar Awadallah-un, i cili gjithashtu shërbeu si këshilltar special i Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. /aa