Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Johnson kritikon qeveritë e BE-së për qëndrimin ndaj Turqisë

Johnson kritikon qeveritë e BE-së për qëndrimin ndaj Turqisë

LONDËR (AA) – Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka thënë se janë të gabuara mospëlqimet e qeverive të Bashkimit Evropian (BE) ndaj reagimit që Turqia ka dhënë ndaj tentativës për grusht shteti më 15 korrik dhe se Turqia është e rëndësishme për sigurinë e përbashkët të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Johnson u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën e organizuar në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik.

Në një pyetje të deputetit të Partisë Konservatore Julian Lewis në lidhje me Turqinë, Johnson është shprehur: “Është shumë e rëndësishme të kuptohet se shteti turk, qeveria turke është viktimë e një tentative mizore për grusht shteti në të cilën humbën jetën qindra persona. Është e gabuar që shumë qeveri në BE, në vend se t’i shohin zhvillimet në Turqi, kanë dënuar reagimin e Turqisë ndaj kësaj tentative. Turqia është e rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët. Shpërfillja e Turqisë është gjëja e fundit që duhet bërë”.

Johnson ka theksuar se është mbrojtës i shtetit izraelit porse rritja e vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor nuk do t’i kontribuojë paqes.

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me pamjet e shfaqura ku shihet një diplomat izraelit duke folur për diskreditimin e disa politikanëve britanikë, në mesin e të cilëve edhe ministra, Johnson ka thënë: “Ambasadori izraelit ka kërkuar falje në lidhje me këtë. Diplomati izraelit në fjalë tanimë nuk punon në ambasadë”.

Ai ka shtuar se kjo çështje është mbyllur.

Sipas Johnson, zgjidhja e vetme e çështjes palestinezo-izraelite është zgjidhja me dy shtete. Duke folur për sulmin e fundit ndaj ushtarëve izraelitë në Jerusalem, Johnson ka potencuar se “Jemi duke u përpjekur që palestinezët ta kuptojnë se nuk do të ketë shpresë për paqe derisa nuk i kontrollojnë ekstremistët”.

“Nuk është në rregull të shpërfillet Rusia”

Duke vënë në pah se asnjëherë nuk i ka mbështetur politikat e presidentit rus Vladimir Putin në Siri, Sekretari i Jashtëm britanik Johnson ka thënë se “Nëse shikojmë luftën kibernetike të Rusisë dhe veprimtarinë e saj në Ballkanin Perëndimor, shohim se ajo nuk ka bërë gjëra të mira. Megjithatë, është me rëndësi të kuptohet se mund të ketë disa fusha në të cilat mund të punojmë me Rusinë”.

Johnson, megjithatë, është shprehur se nuk është në rregull të shpërfillet Rusia dhe se është e nevojshme të krijohet strategji e dyanshme që përfshinë krijimin e marrëdhënieve bilaterale.


Exit mobile version