Gjendja në tregun europian të punës është përmirësuar sipas statistikave të BE-së, por në Itali situata nuk ka ndryshuar. Si edhe më parë, çdo i treti i ri italian është i papunë. Shumë vetë largohen nga vendi.
Një emision radioje i preferuar në Itali mban emrin e një filmi të njohur –“No country for young men”- Ky nuk është vend për të rinj.
E kjo nuk të habit, para një ekonomie në stanjacion që u ofron shumë pak shanse të rinjve e të rejave në Itali.
Vetëm në vitin 2015, janë larguar nga Italia rreth 50.000 italianë nën moshën 40-vjeçare, afro gjysma e tyre me diplomë universitare.
Luca Paolazzi, kryeekonom në Shoqatën e Punëdhënësve Italianë, Confindustria, kritikon gjendjen aktuale duke e krahasuar me “gjakderdhjen”.
“Kemi të bëjmë me një krizë të vërtetë”, thotë ai duke theksuar se rrjedhja e trurit i kushton Italisë 1% të prodhimit të brendshëm bruto, raporton DW.
Kufijtë e buxhetit
Qeveria e majtë-centriste e kryeministrit Paolo Gentiloni e ka kuptuar seriozitetin e gjendjes dhe përpiqet të marrë masa. Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon disa impulse për të motivuar bizneset italiane të punësojnë të rinjtë.
Ministri i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan u shpreh se megjithatë “duke parë kufijtë e buxhetit ka shumë pak mundësi”. Padoan ka pasur parasysh këtu mundësitë e kufizuara të shpenzimeve shtetërore për shkak të kursit të kursimeve.
Qeveria italiane parashikon po ashtu të dërgojë në pension të parakohshëm gati një gjysmë milionë të punësuar në sektorin publik për të hapur vende pune për të rinjtë.
Ndërkohë që kritikët e quajnë punësimin e të rinjve në shtet si një dhuratë zgjedhore të qeverisë Gentiloni. Italia voton për qeverinë e re vitin e ardhshëm.
38 vjeç ende tek prindërit
Një institut italian ka llogaritur se po rritet gjithnjë e më shumë mosha, kur të rinjtë italianë pavarësohen financiarisht nga prindërit e tyre.
Nëse në vitin 2004 ajo kapte 30 vjetët, në vitet 2020 kjo moshë do të rritet deri në 38 vjeç, sipas institutit. “Shumë vazhdojnë të kenë mundësi mbijetese vetëm në këtë formë”, thotë profesori i demografisë në Universitetin Katolik të Milanos, Alessandro Rosina.
Sipas profesorit Rosina, jetesa bashkë me prindërit pranohet në shoqërinë italiane, të rinjtë që banojnë tek prindërit punojnë herë pas here punë në të zezë për të siguruar ndonjë të ardhur. /Mesazhi/